Në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Kombëtares sonë foli portieri i Gjeorgjisë, Giorgi Mamardashvili, i cili kujtoi se e mbajti portën e pastër për herë të parë me Gjeorgjinë në një ndeshje miqësore dy vite më parë në Tiranë, e mbyllur 0-0.
NDESHJE E VËSHTIRË – “Të luash si mysafir nuk është asnjëherë e lehtë dhe ne presim një ndeshje të vështirë. E dimë që të gjitha biletat janë shitur dhe do të ketë një atmosferë të zjarrtë në tribuna. Megjithatë, ne do të bëjmë çmos që të arrijmë sukses”.
DETAJI – “Në Shqipëri e kam mbajtur për herë të parë portën e pastër në kombëtare (29 mars 2022, Shqipëri-Gjeorgji 0-0). Unë sapo kisha filluar karrierën time europiane atëherë. Pas kësaj, mendoj se kam fituar mjaft përvojë. Shpresoj se do të luajmë si kundër Çekisë, do të fitojmë dhe do të kem kujtime të tjera të mira nga ky stadium”.
OBJEKTIVI – “Nuk është vetëm mendimi im se Botërori është i arritshëm. Më ka pëlqyer mënyra sesi djemtë kanë luajtur në sulm në ndeshjet e mëparshme. Me këtë qasje, logjikisht mund të shkojmë në Kupën e Botës”.
FESTA ME TIFOZËT – “Ishte një gjest falënderimi ndaj tyre. Mendoj se pa ata, nuk do të kishim arritur nivelin në të cilin jemi tani. Tifozët janë të rëndësishëm për ne, sepse bashkë me ta jemi një ekip”, u shpreh Mamardashvili.