Ministri i deritanishëm i punëve të jashtme, Nikola Poposki, është përshëndetur me postin e tij. Si sukses në dy mandatet e tij i përmendi menaxhimin me krizën e emigrantëve, zbatimin e regjimit pa viza me disa shtete, misionin ISAF në Afganistan dhe, sipas tij, promovimin e suksesshëm ekonomik të Maqedonisë jashtë vendit. Sukses për të kanë qenë edhe pesë kampet verore në Ohër dhe një kamp dimëror në Krushevë për mësimin e gjuhës Maqedonase. Ai ka hapur edhe disa ambasada, ndërsa sidomos krenar ndjehet për ambasadën në Brazil. Ai thotë se në eurointegrime nuk kemi ngecur, edhe pse vendi gjatë mandatit të tij mori vlerësimin e KE-së si “shtet i robëruar”. Por, për këtë arsye, Poposki ka një mesazh për Unionin.
Nëse nuk jepni perspektivë të qartë se kur kjo do të ndodhë, po e komprometoni sigurinë e juaj dhe përfundimisht nuk e luani rolin e perspektivës në mbarë rajonin. Sipas meje, duhet të përkufizohet korniza kohore, se a do të bëhet në vitin 2022 apo 2024 apo nuk e di kur, këtë duhet ta vendosin ata që marrin vendime në BE- tha Ministër i Jashtëm në largim Nikola Poposki, përcjell Alsat.
Pas largimit të Poposkit, në krye të Ministrisë së jashtme do të vijë Nikola Dimitrov. Lidhur me sfidat e pasardhësit të tij, Poposki nuk dha asnjë vlerësim, sidomos rreth kontestit të emrit që e imponon Greqia.
Nuk do të doja të komentoj lidhur me pritjet e ardhshme sepse mendoj se nuk është korrekte që edhe më shumë të vështirësohet detyra e rëndë që do të vijojë për cilindo që ka funksion me përgjegjësi në vend- theksoi Nikola Poposki.
Poposki ka hedhur poshtë spekulimet se ai do mund ta ndërrojë Nikola Gruevskin nga posti i kryetarit të partisë. Ai tani do të qëndrojë në Kuvend si deputet në radhët e tashmë VMRO-DPMNE-së opozitare.