Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përpiqet t’i injorojë kërkesat e Kongresit për t’i dëgjuar rrëfimet e zyrtarëve amerikanë lidhur me skandalet diplomatike me liderët e huaj.
Të martën, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e refuzoi thirrjen për raportim para komisionit të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të pesë zyrtarëve të këtij departamenti lidhur me përpjekjet e presidentit për ta shtyrë homologun ukrainas ta hetojë rivalin e tij politik.
Pompeo i akuzoi demokratët se po përpiqen t’i frikësojnë, kërcënojnë dhe t’i trajtojnë në mënyrë jo të duhur zyrtarët. Sipas tij, këto takime nuk do të realizohen.
“Nuk do të toleroj taktika të këtilla dhe do t’i përdor të gjitha mjetet që janë në dispozicionin tim që t’i parandaloj përpjekjet për frikësimin e profesionistëve të përkushtuar”, tha Pompeo.
Sidoqoftë, duket se planet e kryediplomatit amerikan për ta injoruar Kongresin nuk kanë shkuar si duhet.
Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, i cili dha dorëheqje javën e kaluar, konfirmoi se do të flasë para këtij komisioni në një takim të mbyllur, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




