Pollogu vazhdon të ngulfatet nga deponitë e egra, por udhëheqësit e sektorëve, si të Parkut Kombëtar, por edhe ministrja e Ekologjisë, vazhdojnë të flasin dhe të lavdërohen me Parkun Kombëtar dhe mbrojtjen e diversiteteve kulturore e bujqësore të parkut. Edhe pse problemin me deponitë e egra nëpër Malin Sharr duhet ta zgjidh ministrja e Ekologjisë, kjo e fundit sot tha se është problem lokal.
“Gjithnjë kam apeluar dhe po apeloj sërish të mos krijojmë deponi të egra aty ku ka sipërfaqe të mbrojtur. Mbetjet duhet të konstatojmë se i bëjmë vetë dhe patjetër duhet të jemi të kujdesshëm. Ajo që mund të bëjë shteti është mundësia ndoshta që t’u ndihmojë komunave, megjithëse kjo mbetet nën ingerencat e pushtetit lokal dhe janë komunat ato që duhet t’i pastrojnë deponitë nëpër territoret e tyre. Shteti pesë vitet e fundit investoi shumë para në pastrimin e deponive të egra, por për fat të keq edhe pasi i harxhuam paratë dhe pastruam depozitë, sërish u mbushën.”, – deklaroi ministrja e Ekologjisë, Kaja Shukova.
Por, drejtori i Parkut Kombëtar tha se kemi bërë mjaftueshëm gjatë këtyre dy vitesh sa ekzistojmë si drejtori dhe sipas tij, këto dy vitet kemi qenë të fokusuar në mbrojtje të natyrës.
“Ne jemi këtu ku jemi sot me zyra, të pajisur me mjete të duhura dhe kemi kuadër të nevojshëm si institucion të ecim përpara. Sigurisht në dy vitet e para kemi qenë të fokusuar në komponentin mbrojtje, për aktivitet të lejuar dhe jo të lejuar.”, – theksoi drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Ibrahim Dehari.
Përndryshe, komunat rurale nuk kanë mjete të dedikuara, thuajse zero për pastrimin e deponive të egra që janë më dhjetëra nëpër të gjithë territorin e Pollogut. Ndërsa, institucionet në vit mbledhin tatime për mjedisin jetësor, të cilat, nga ana tjetër, edhe komunat, por edhe Ministria e Ekologjisë, shumë pak riinvestojnë në mbrojtje të ekosistemit.