Mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në Maqedoni si asnjëherë më parë ka prodhuar surpriza interesante. Ndërsa surpriza më e këndshme e këtyre zgjedhjeve ishte Lëvizja BESA e cila për herë të parë mori pjesë në një proces zgjedhor dhe arriti të siguroj afro 60 mijë vota.
Dhë kështu kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur për procesin zgjedhor në Maqedoni, rezultatet, parregullsitë zgjedhore, formimin e qeverisë së re, akuzat ndaj partisë së tij nga qarqe të caktuara dhe çështje të tjera.
Ai gjatë intervistës deklaroi se duhet të rishqyrtohet kërkesa e Lëvizjes BESA për qeveri teknike dhe e njëjta qeveri të organizojë më pas zgjedhje të reja në vend. Ai gjithashtu theksoi se BESA është e dëmtuar në dy zona zgjedhore si pasojë e parregullsive.
Ndryshe sipas Këshillit Shtetëror Zgjedhor me votat që kanë fituar partitë politike për momentin kështu duket numri i deputetëve: VMRO(51), LSDM(49), BDI(10), BESA(5), LRPDSH(3), PDSH(2).
Këto numra të deputetëve që kanë siguruar partitë politike vështirë të formohet qeveri stabile, e aq më shumë duke pasur parasysh se çdonjëra nga partitë ka kushtet e tyre që nuk koalicionojnë me cilëndo parti.
Ndërkohë, edhe edhe politikologu Abdylvehab Ejupi njëjtë si Bilall Kasami vlerëson se qeveria teknike është një mundësi reale, dhe kështu të zgjidhen shumë çështje jetike për vendin.
“Mandatet e fituara nga subjektet politike në zgjedhjet e së dieles përkthehet në atë që asnjë kombinatorike me koalicione nuk i jep shumicën për formim të një qëverie të qëndrueshme. Nga këtu është rast dhe mundësi shumë e mirë që partitë parlamentare të tubohen njëmendësisht dhe të formojnë qeverinë teknike, e cila në një periudhë të caktuar kohore, me praninë e ndërkombëtarëve, do të përpiqeshin për zgjidhjen e çështjeve të mëdha dhe strategjike shtetërore si zgjidhja e çështjes së emrit-me të cilën do ta zhbllokonte procesin euro-integrues të Maqedonisë; Regjistrimi i popullsisë-proces ky kyç për egzistencën e shtetit, veçanërisht në rrethanat e Maqedonisë ku çdogjë dhe çdo proces është e lidhur me numra; Rindarja e njësive zgjedhore, gjë që do ta reflektonte prezencën reale të shoqërisë, komuniteteve përkatëse në këtë shtet multietnik, që momentalisht është ekstremisht diskriminues, veçanërisht ndaj shqiptarëve; dhe çështjet tjera jetike për Maqedoninë. Vetëm kështu, në perspektiv afatgjate Maqedonia do të çlirohej nga kthjetrat e zhbllokimeve, nga asimetria në ndërtimin e saj që rëndë po lëngon dhe assesi të progreson, nga diskriminimi që shtetit jetën ia shkurton”, deklaroi për portalin Almakos, Abdylvehab Ejupi.
Pra, sipas Ejupit vetëm me proces të dialogimit për çështjet kyçe për “shpëtimin e shtetit” mes gjitha subjekteve parlamentare, do të “shkundej” shteti për tu Ridefinuar dhe për tu ribërë, si shtet i barabartë për të gjitha komunitetet, vetëm kështu Maqedonia do të hynte në shinat brenda konceptit të njëmendësisë e të qenurit shtet!