Gjatë vizitës së tij zyrtare në Austri, Mustaf Veseli u prit në Parlamentin e Republikës së Austrisë ku zhvilloi një takim miqësor dhe konstruktiv me deputetin austriak, z. Alois Schroll.
Në shoqërimin e deputetit Schroll, Veseli vizitoi hapësirat e parlamentit aktual dhe godinën historike të Parlamentit Austriak, duke pasur mundësinë të njihet nga afër me institucionet dhe trashëgiminë politike të vendit. Dy bashkëbiseduesit zhvilluan një dialog të gjatë mbi proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale dhe rëndësinë e bashkëpunimit kulturor mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Deputeti Schroll shfaqi interes të veçantë për reformat që po ndërmerren në vendin tonë, sidomos në forcimin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj standardeve evropiane të drejtësisë, transparencës dhe barazisë.
Një nga temat qendrore të bisedës ishte aktiviteti i kompanisë austriake EVN në Maqedoninë e Veriut. Veseli theksoi se procesi i privatizimit të kësaj kompanie ka lënë pas një varg pikëpyetjesh, ndërsa sot qytetarët përballen me fatura të larta të energjisë elektrike që rëndojnë në mënyrë të padrejtë buxhetet familjare. Ai nënvizoi se fitimi i një kompanie është i ligjshëm, por shfrytëzimi i qytetarëve nuk mund të tolerohet, sidomos kur bëhet fjalë për një shërbim bazë si energjia.
Në këtë drejtim, ai kërkoi që institucionet vendore të ndërmarrin hapa konkretë për rishikimin e tarifave dhe për t’i dhënë fund praktikave të dëmshme që bien ndesh me drejtësinë sociale. Veseli theksoi se bashkëpunimi ekonomik me Austrinë është i mirëpritur, por duhet të bazohet në parime të barabarta dhe respekt të ndërsjellë, jo në përfitime të njëanshme.
Takimi u mbyll me zotimin për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe për të realizuar vizita të tjera të ndërsjella, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe promovimin e vlerave evropiane të drejtësisë, ndershmërisë dhe dinjitetit.
Si pjesë e vizitës, deputeti Schroll i mundësoi Veselit hyrjen në sallën e vjetër të Parlamentit Austriak – një hapësirë historike e mbyllur për publikun – ku janë mbajtur disa nga fjalimet më të rëndësishme të historisë evropiane.






