Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski mbetet në qëndrimin se Bullgaria i kërkon Maqedonisë së Veriut një Marrëveshje të re si modelit të Prespës e cila do përfshinte edhe ndryshime Kushtetuese. Ai madje për këtë çështje u ka bërë thirrje liderëve të partive parlamentare në vend për një takim të përbashkët, siç ka deklaruar, për ‘çështje serioze, gjegjësisht Marrëveshjen me Bullgarinë’. “Çështjet serioze zgjidhen në takim liderësh, në tavolinë. U bëjë thirrje liderëve të partive relevante politike, që të ulemi dhe të bisedojmë hapur për çështjen e cila sot është aktuale, e ajo është bisedimet me fqinjin tonë Lindor. Kjo është temë shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Mickoski. Ai vlerëson se nuk nevojitet vetëm se një takim liderësh, por disa takime, dhe nga ato të dilet me zgjidhje të përbashkëta para qytetarëve. Për arsye, siç shprehet ai, qytetarëve u ka erdh te hunda politika ditore.
Mickoski vazhdon të mbetet në qëndrimin e tij se krerët shtetëror të Maqedonisë me ato Bullgarinë po bisedojnë për një Marrëveshje të re, e cila, siç thotë ai, do të jetë e ngjashme me Marrëveshjen e Prespës dhe do të përfshijë ndryshime Kushtetuese. “Edhe pse në Shkup u demantua kjo deklaratë e imja, interesant është fakti se pse kjo nuk u demantua edhe nga Bullgaria. Është e habitshme se si askush nga pala bullgare nuk e demantojë. Kjo është çështje e cila meriton të bisedohet në takim liderësh, hapur dhe pa doreza, dhe pas atyre bisedimeve të dalim dhe japim zgjidhje ose përfundimisht do të themi se ne nuk mund të merremi vesh mes veti dhe do të duhet të gjejmë një rrugë tjetër”, ka deklaruar Mickoski.
Zaev është shprehur kundër takimit
Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i LSDM-së në prononcim për gazetën KOHA, ka refuzuar ftesën e Mickoskit për takim liderësh. “Nuk shoh nevojë për një takim liderësh, veçanërisht me një njeri i cili nuk ka qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme strategjike. Gjuha maqedonase, identiteti dhe veçantia maqedonase janë konfirmuar dhe njohur ndërkombëtarisht nga e gjithë bota. Me fqinjin tonë, Bullgarinë, kemi një marrëveshje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, e cila është nënshkruar në maqedonisht. Ne presim që në frymën e kësaj Marrëveshje të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie së bashku. Ne shprehim vullnetin tonë për të zgjidhur çështjet që dalin nga Marrëveshja përmes punës së komisioneve që kanë juridiksion mbi të”, deklaroi për KOHA, kryeministri Zaev. Sipas tij, Mickoski nuk është për një marrëveshje për ndonjë temë, ai po kërkon një mënyrë vetëm për të dëmtuar shtetin, veçanërisht të pengon rrugën drejt BE-së.
Partitë parlamentare në vend janë të hapur për dialogu, dhe siç thonë ato çdo kompromis politik që zgjidh një çështje të caktuar është në të mirë të vendit.




