Në Saraj të Shkupit dje u bë hapja e poliklinikës së re. Poliklinika rajonale në Saraj prej 1.600 m2 do të përfshijë shërbime si ambulantë ditore për mjekësi familjare, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rengeni dhe farmaci. Ajo do t’u shërbejë mbi 45 mijë banorëve nga ky rajon i qytetit.
Kryeminsitri i vendit, Dimitar Kovaçevski, tha se herë të parë, pas 50 vitesh, banorëve të kësaj pjese të Shkupit do t’u sigurohet kujdes parësor shëndetësor.
“Është një nder i madh, që mëngjesin e sotëm, bashkërisht të promovojmë hapjen e Poliklinikës së re të Sarajit. Dua të theksoj se ky është një sukses i përbashkët për të cilin duhet të krenohemi.Bëhet fjalë për një investim prej 79 milionë denarë, i siguruar nga Ministria e Shëndetësisë”, kështu u shpreh dje, minsitri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Edhe përkundër faktit, që banorët e kësaj ane, rreth 50 vite presin për një projekt të tillë, Poliklinika e Sarajit përveç se një ëndrre të kahmotshme, falë angazhimit të partnerëve qeveritarë u bë realitet.
Përskaj polemikave mediatike, se kush e cilët janë meritorët e kësaj pune, në redaksinë tonë, ditë më parë ka arritur një dokument ku dëshmon se projekti “Poliklinika Saraj” daton si nismë zyrtare buxhetore (18.08.2017), që nga periudha kur ministër i shëndetësisë ka qenë kryetari aktual i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari (qershor-nëntor 2017).
Nuk ka nevojë sipas këtij informacioni që të trumbetohen sendet e të akuzohen meritorët e kësaj nisme fisnike, aq më pak nuk ka nevojë për akuza të tipit “kros pa kros…”, sepse Taravari e ka firmosur buxhetin e poliklinikës në Saraj, ndërsa ministri Mexhiti e realizoi.
E në këtë projekt fituan 45 mijë banorët e komunës Saraj, ndërsa humbës janë vetëm ata që shpifin, e nuk lanë nishan pa nënçmuar projektet kapitale shqiptare.