Vazhdojnë manipulimet dhe dezinformatat mediatike se Maqedonia e Veriut nuk ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian, pavarësisht informacioneve dhe njoftimeve zyrtare nga BE-ja dhe nga përfaqësuesit e saj se negociatat kanë filluar.
Më 10 janar 2024, më shumë media e transmetuan Fejsbuk statusin e zëvendës-kryetarit të VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikolloski se “Maqedonia nuk po fillon negociatat me BE, jo për shkak të problemit me Bullgarinë, por për shkak të mungesës së një sistemi funksional të sundimit të ligjit”.
Edhe rreth një muaj më parë, disa media transmetuan një mesazh të ngjashëm të Nikolloskit se “Nuk kanë filluar negociatat me BE-në për shkak të korrupsionit dhe mossundimit të ligjit”.
Por, të përsërisim edhe një herë: cilat janë faktet, a kanë nisur negociatat apo jo? Së pari, siç konfirmoi edhe BE-ja, me mbajtjen e “Konferencës së parë Ndërqeveritare për qasjen e Maqedonisë së Veriut”, “Më 19 korrik 2022, BE e filloi fazën hyrëse të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut”.
Së dyti, më 8 dhjetor 2023, Komisioni Evropian njoftoi se takimet për procesin e skriningut janë kompletuar dhe se skriningu është hapi i parë në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Përveç kësaj, në konkluzionet e Këshillit Evropian të 14 dhe 15 dhjetorit të vitit 2023, në pikën 18, si kusht i vetëm për përfundimin e fazës hyrëse të negociatave të anëtarësimit, përmenden ndryshimet kushtetuese.
Prandaj, pretendimet e përsëritura se “Maqedonia nuk po fillon negociatat me BE-në” dhe se “negociatat me BE-në nuk kanë filluar” për shkak të sundimit të ligjit, mund të vlerësohen si një episod i radhës në serinë e manipulimeve dhe dezinformatave për këtë çështje. Negociatat e anëtarësimit me BE-në kanë filluar në vitin 2022 me konferencën e parë ndërqeveritare dhe me skriningun, ndërsa vazhdimi i tyre kushtëzohet me aprovimin e amendamenteve kushtetuese.