Në media shpesh botohen dezinformata për ndryshimet e Kushtetutës. Shembull i tillë është kronika e TV Alfa e publikuar më 17 mars 2024 me titullin: “Platforma e Tiranës që Zaev pretendonte se nuk ekziston sot është realitet maqedonas”.
Në tekst pohohet: “Me ndryshimet kushtetuese për shkak të Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët hynë në preambulë, gjegjësisht, në vend të popullit maqedonas dhe komuniteteve të shqiptarëve, turqve etj., u fut termi popull maqedonas dhe pjesë të popullit shqiptar, turk e kështu me radhë. Me këtë ndryshim në dukje të vogël, shqiptarët de fakto u bënë komb shtetformues”.
Mirëpo, nuk është i saktë pohimi se “me ndryshimet kushtetuese për shkak të Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët hynë në preambulë”, sepse shqiptarët ishin pjesë e Preambulës së Kushtetutës në vitin 1991. Edhe termi “popull shqiptar” është futur në Preambulë me ndryshimet kushtetuese të miratuara më 16 nëntor 2001 pas Marrëveshjes Kornizë, e jo me ndryshimet kushtetuese për shkak të Marrëveshjes së Prespës.
Në amendamentin 4 të vitit 2001, ndër të tjera thuhet: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerëve…”.
Me amendamentin XXXIV (34) të vitit 2019, në Preambulë janë fshirë fjalët “si dhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë”, kështu që tani në të thuhet: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerëve…”.
Prandaj, pretendimi i TV Alfa se “me ndryshimet kushtetuese për shkak të Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët hynë në preambulë” paraqet dezinformatë, e cila mund të nxisë jotolerancë ndëretnike dhe përçarje mes qytetarëve.