Përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për integrim nuk e shohin të arsyeshme të komentojnë të shtënat me kallashnikov në festimin e fitores së kandidatëve të tyre për kryetar të komunave Saraj dhe Çair, gjë që është vepër e rëndë penale, që sipas Kodit penal dënohet me burgim, shkruan Almakos.
Pavarësisht se një veprim i tillë është në kundërshtim me frymën evropiane drejt së cilës synojnë ta shpien Maqedoninë dhe i dënueshëm nga ligji, tre zyrtarët e BDI-së me të cilët kontaktuam, Bujar Osmani, Abër Ademi dhe Artan Grubi, i injoruan pyetjet tona rreth kësaj çështje. Pra konkretisht, nëse i njohin individët që kanë shtënë dhe nëse ndaj të njëjtëve kanë bërë denoncim.
As policia ende nuk ka identifikuar autorët e kësaj vepre të rëndë penale, nuk ka sekuestruar armët dhe nuk ka ngritur padi penale kundër autorëve.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, thotë se ai personalisht dënon një akt të tillë, por ende nuk ka rezultate konkrete nga hetimi.
“Intenzivisht MPB-ja punon në gjetjen e autorëve dhe të armëve. Jemi duke punuar në zbardhjen e rasteve. Sapo të kemi informata do t’i shpallim në opinion”- tha Nuhiu.
Ndryshe nga heshtja e zyrtarëve të BDI-së dhe mos-aftësisë së policisë për të gjetur autorët e veprës, flet ligji. Sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, parashihet dënim me burg prej 3-7 vjet nëse arma më të cilën është shtënë ka qenë pa leje, pasi një detaj i tillë veprën e kalon nga kundërvajtje, në penale, qartëson eksperti juridik, Osman Kadriu, por sipas tij ekziston edhe mundësia që arma kallashnikov të ketë qenë me leje.
“Pavarësisht nëse arma është apo jo me leje, e njëjta duhet sekuestruar pavarësisht se si do të kategorizohet vepra nga institucionet përgjegjëse. Dilemë mbetet se vallë a do të zbulohen personat që kanë shtënë, duhet treguar profesionalizëm nga organet përgjegjëse.”- thotë eksperti juridik, Osman Kadriu.
Të shtënat me armë kallashnikov në dy komuna ku BDI festonte fitoren, kaluan pa asnjë reagim të policisë, partive në pushtet, as opozitës dhe faktorit ndërkombëtarë. Madje me këtë dukuri të shëmtuar, ku mund të pësojnë jetë njerëzish, nuk merret as media e vendit.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com