Sot (24 mars 2026), në periudhën nga ora 08:00 deri në 12:00, Njësia Mobile për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë Sektorit për Çështje të Komunikacionit realizoi një aksion kontrolli në zonën e qytetit të Shkupit. Qëllimi i këtij aksioni ishte verifikimi i shoferëve dhe automjeteve që përdoren për transport publik të pasagjerëve.
MARKETING
Sipas njoftimit të MPB-së, gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh. Janë shqiptuar:
- 6 masa ndaj shoferëve që nuk posedonin certifikatë mjekësore të detyrueshme
- 4 masa për automjete teknikisht të parregullta
- 4 masa për tejkalim të numrit të lejuar të pasagjerëve
- 1 masë për patentë shoferi të skaduar
- 1 masë për drejtim autobusi me kategori të papërshtatshme
- 1 masë për mungesë të kontrollit teknik të jashtëzakonshëm
- 8 masa për kundërvajtje të tjera
Gjithashtu, janë ngritur 14 kërkesa për fillimin e procedurave kundërvajtëse ndaj personave juridikë dhe përgjegjësve të tyre.
Gjatë aksionit, një person është ndaluar dhe një automjet është sekuestruar përkohësisht për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik”, konkretisht për ushtrim të transportit publik pa patentë shoferi.
Nga MPB theksojnë se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e pasagjerëve. Ata u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat, për të kontribuar në rrugë më të sigurta.


