Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar sot se menjëherë pas kërcënimit të ekipit të Televizionit SHENJA dy ditë më parë në lagjen Dyqanxhik dhe pas denoncimit të rastit, në teren kanë dalë ekipe policore për të zbardhur incidentin.
Rasti është evidentuar në buletinin e MPB-së, ndërsa policia është vënë në kërkim të kërcënuesve. Nga ana tjetër, qytetarë të shumtë dhe figura publike janë solidarizuar me televizionin Shenja dhe kanë dënuar kërcënimin ndaj ekipit tonë nga persona të cilët janë prezentuar si aktivist të BDI-së. Në pjesën dërmuese të reagimeve përmes rrjeteve sociale, kërkohet që tu jepet fund kërcënimeve dhe sulmeve ndaj fjalës së lirë, ndërsa ekipi i Televizionit Shenja inkurajohet që të vazhdojë me punën e deritanishme.
“Shenjën e njoha përmes revistës. Qe njohje e mjaftueshme sa për të mos dyshuar në sukseset dhe seriozitetin e Televizionit Shenja. Normalisht se me Shenjën!”, ka shkruar publicisti Iljasa Saliu.
Në mbështetje të Televizionit Shenja ka dalë edhe Ministri i Shëndetësisë nga radhët e LR-PDSH-së, Arben Taravari. “Lajmësi nuk ka faj për lajmin që jep… Lekë Dukagjini”, ka shruar shkurt Taravari.
Reagimeve të shumta me hashtagun #MeShenjën u është bashkangjitur edhe publicistja dhe aktivistja, Gjyle Çeliku. “Respektoni FJALËN E LIRË sepse ajo informon, edukon dhe këshillon! Unë personalisht jam mbështetëse e mediave dhe të gjithë gazetatarëve. Lejoni që lirshëm, pa shantazhe dhe kërcënime të realizojnë zanatin e tyre”, ka shkruar Çeliku, në profilin e saj në Facebook.
Përveç tyre edhe shumë shikues të Televizionit Shenja, qytetarë nga profile të ndryshme, politikan, intelektual dhe figura publike, kanë dënuar pengimin e punës së ekipit të Televizionit Shenja dhe kërcënimet e fundit. Këto kërcënime janë vlerësuar si një tentim për të heshtur gazetarët, mediat dhe zërin e qytetarëve.
Arben Zeqiri /SHENJA/

