Sektori për Punë të Brendshme në Strugë ka inicuar procedurë ligjore ndaj vetëqeverisjes lokale dhe drejtuesit të saj. Policia ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë për fillimin e një procedure për kundërvajtje ndaj Komunës së Strugës dhe kryetarit Mendi Qyra, për shkak të mosrespektimit të protokolleve shtetërore dhe ligjeve gjatë shënimit të Ditës së Flamurit Shqiptar, njofton Almakos.com.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), organizatorët e ngjarjes kanë bërë shkelje duke mos e vendosur flamurin shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë manifestimit, gjë që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave ligjore.
Incidenti për të cilin ngarkohet udhëheqja komunale ka ndodhur gjatë festës së organizuar me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar.
Ngjarja është mbajtur në rrugën “Marshal Tito” në Strugë. Nga inspektimi policor është konstatuar se, ndonëse ishin vendosur flamujt e komunitetit etnik, organizatorët – në këtë rast Komuna dhe kryetari – nuk e kanë vendosur flamurin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjë që është obligim ligjor sa herë që publikisht vendosen flamujt e komuniteteve.
Me paraqitjen e kësaj kërkese, rasti kalon në kompetencë të gjykatës së kundërvajtjeve, e cila duhet të vendosë për lartësinë e sanksionit për mosrespektimin e simboleve shtetërore./Almakos


