A po vepron Ministria e Brendshme me standarde të dyfishta? “Të paprekshmit” nga MPB-ja, të cilën e drejton Oliver Spasovski edhe pse kërkohen për vepra penale, vazhdojnë të shëtisin të lirë. Ndonëse gjendja faktike flet ndryshe, dikasteri i Brendshëm vazhdon të kumtojë se është në kërkim të personave të cilët kërkohen me flet arrest ndërkombëtarë. Konkretisht fjala është për rastin e 25 qershorit në Haraçinë, kur policia shkrepi plumba në mes të rrugës, për të ndaluar personin me inicialet O.M dhe bashkudhëtarin e tij G.M. Në përshkrimin e ngjarjes, të njëjtën ditë MPB-ja theksonte:
Ministria e Brendshme
“Rreth orës 17 në rrugën 1 në fshatin Haraçinë, zyrtarët policor kanë ndaluar veturën “Golf” në të cilën ndodheshin dy persona, O.M dhe G.M të cilët kërkohen me flet arrest ndërkombëtarë për vuajte të dënimit. Në momentin kur policët i janë afruar veturës, shoferi O.M ka nisur veturën “Golf” dhe duke ikur mbrapa ka goditur policin. Pas këtij akti policët kanë shkrepur disa plumba paralajmërues në ajër, por shoferi nuk është ndalur dhe ka goditur policin tjetër dhe është shmangur nga vendi i ngjarjes. Po merren masa për gjetjen e dy personave”.
Derisa O.M të paktën sipas policisë është në kërkim, i njëjti shihet nëpër rrjete sociale në gosti të njerëzve të afërt me LSDM-në. Fotografitë e shpërndara në rrjetin social Facebook dëshmojnë se jo më pak se 6 orë më pas, personi që sipas policisë kërkohet me flet arrest ndërkombëtar krenohet se ndjehet më i fortë se asnjëherë me parë. Një ditë më pas në Kumanovë, vetura zyrtare e SPB-së shtypi një fëmijë 7 vjeçar. Vetura e verdhë e tipit “Fiat Linea” me targa të Kumanovës që drejtohej nga polici Predrag Stamenovski nuk është ndalur. Pas zbardhjes së rastit, burime jo zyrtare nga Sektori i Brendshëm në Kumanovë bëjnë të ditur se polici Stamenovski në dëshminë e parë ka deklaruar se nuk e ka vërejtur se me makinë ka shtypur këmbët e vogëlushit 7 vjeçar. Madje zyrtarë policorë jozyrtarisht bëjnë të ditur se ka pasur tentativa për ta ndryshuar modelin e veturës me qëllim që të mos zbardhet fakti që vetura e policisë dhe zyrtarë policorë të njësitit “Alfa” pas aksidentit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për këtë rast, MPB-ja zyrtarisht nuk ka kumtuar asgjë.
Policia hesht edhe për incidentin në Tetovë më 30 qershor kur policia u gjet përsëri para një akti nënvlerësimi gjatë tentativës për të arrestuar një person i cili gjithashtu ishte dënuar për vrasje. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, personi i plagosur ka goditur inspektorin e policisë me veturë, rast ky për të cilin policia nuk ka informuar opinionin. Në fillim tu muajit qershor policia në tentativë për ta arrestuar vrau Jeton Rexhepin i dënuar me 25 vite burg për vrasje e që ndodhej në arrati. Paraprakisht policia kishte dështuar tre herë në tentativat për ta arrestuar të njëjtin, derisa ky i fundit shëtiste i lirë. Derisa Qeveria angazhohet për reforma me qëllim të integrimit, një ndër kushtet kryesore të BE-së është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Alsat
https://www.youtube.com/watch?v=zCtxUGUoTkQ

