Alsat 2020-03-17T15:10:23+01:00
Policia regjistroi 7 raste të mosrespektimit të masës së izolimit të personave në Strumicë dhe Tetovë, prej tyre 4 raste shqyrtohen në Shkup. Kjo u tha nga Ministri i Brendshëm Naqe Çulev, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet për vetë-izolim. Në të kundërtën, si këto raste do të ndëshkohet edhe çdo shkelës i Kodit Penal për shpërndarje të sëmundjeve infektive dhe mos zbatim të rekomandimeve gjatë kohës së pandemisë. Çulev tha se deri të martën në vetë-izolim shtëpiak janë 310 persona me simptoma, të cilët po mbikëqyrën në masa të rrepta policore.
SPB Shkup për momentin mbikëqyr 173 persona. SPB Manastir mbikëqyr 13 persona të vetë-izoluar. SPB Tetovë mbikëqyr 16 persona. SPB Ohër zbaton masat ndaj 82 personave. SPB Strumicë mbikëqyr 12 persona me masën e vetë-izolimit. SPB Kumanovë mbikëqyr 6 persona. SPB Shtip siguron 8 persona që janë nën masën e vetë-izolimit shtëpiak- Naqe Çulev, Ministër i brendshëm teknik
Nga kjo situatë forcat e shpërndara policore në gjithë territorin nuk kanë lënë nën hije mbikëqyrjen e brezit kufitar. Sidomos atij jugor që ka rrezik potencial për përfshirje të emigrantëve, meqë policët ndërkombëtar të Frontex po tërheqin pjesëtarët e tyre. Nga MPB thanë se gjendja është e qëndrueshme. Kurse nga Qendra për menaxhim me kriza thanë se policët kanë kontaktin e parë me emigrantët.
Ne i kemi dhënë rekomandimet në zonat e krizës në kufijtë me Greqinë dhe Serbinë. Forcat policore janë të mbrojtura me pajisjet që janë shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe përpiqemi në maksimum që ata të mbrohen në rast se ndonjë emigrant ilegal të jetë i infektuar me këtë virus- deklaroi Agron Buxhaku, Drejtor i Qendrës për menaxhim me kriza.
Sipas Ministrisë së Brendshme në zonën e gjendjes së jashtëzakonshme në Dibër dhe Qendër Zhupë janë evidentuar 14 raste të lëshimit të perimetrit pa pëlqimin e mjekëve apo policisë. Për raste të tilla, nga Ministria e Brendshme kanë hapur një linjë telefonike falas 0800-00201 në dy gjuhë, për të paraqitur të gjitha rastet që nuk respektohen masat e vetë-izolimit apo çdo shkelje tjetër.
Përgatiti: Adnan Qaili
Loading…




