Policia ka ngritur kallëzim penal kundër 21 personave për kontrabandim emigrantësh. Mes tyre edhe ndaj një eprori të policisë, i cili e ka ndihmur grupin kriminel për tu shpëtuar kontrolleve të policisë. 11 anëtarë të grupit tashmë janë në paraburgim.
Policia tha se ky grup ka qenë i organizuar mirë, ka patur kierarki. Prej kufirit greko-maqesonas, trafikantët i kanë marrë emigrantët dhe pastaj i kanë dërguar me makina në rajonin e Kumanovës, respektivisht Likovës, për tu afruar në kufirin me Serbinë, që është pika e fundit e emigrantëve në Maqedoni.
Policia në bashkëpunim me Prokurorinë për luftimin e krimit dhe korrupsionit, e ka ndjekur këtë grup nga muaji maj i vitit të kaluar, derisa ka mbledhur të gjitha provat e nevojshme për një aksion policor dhe arrestimin e tyre.
Ministria e punëve të brendshme
“Emigrantët ilegal janë transportuar deri tek rajoni i Likovës, respektivisht Kumanovës. I kanë dërguar deri në fshatrat Vaksincë dhe Llojan ku kanë qendruar përkohësisht, dhe pastaj janë transferuar në territorin serb. Grupi kriminel ka shfrytëzuar ndihmën e më shumë personave gjatë kontrabandimit. Njëri prej pjesëtarëve të grupit, ka patur takime me një polic, i cili i ka dhënë informacione se ku ka patrulla policore, ku ka kontrolle e ku ka prita të vendosura. Por polici i ka dhënë informacione edhe nëse ky grup kriminel është pjesë e hetimeve të policisë, dhe e ka mësuar se ti mbulojnë gjurmët”
Shumica e emigrantëve të kontrabanduar janë nga Afganistani, Pakistani, Iraku, Bangladeshi dhe shteteve të tjera të Lindjes.
Ministria e punëve të brendshme
“Janë bastisur 20 objekte në Shkup, Radovish, Shtip, Strumicë, pas çka janë arrestuar 16 persona, ndërsa njëri tashmë është në vuajtje të burgut për një vepër penale.Janë konfiskuar përkohësisht 12 makina, 46 celularë, 36 kartela sim, marihuanë, një pushkë e kalibrit 9 milimetra, një pushkë e kalibrit 4,5 milimetra C3, 112 plumba, 5770 euro, 197 mijë denarë, 105 dollarë amerikan, 100 franga zvicërrane. Janë gjetur edhe fletore me numra të ndryshëm telefoni dhe të dhëna për persona të ndryshëm, si dhe dokumentacione për udhëtim në Greqi, dhe një mori dokumentesh të tjera”
Akuza që u rëndon këtyre 21 personave është “Organizmi i grupit dhe nxitja për të bërë tregëti me njerëz, fëmijë dhe emigrantë”, “Kontrabandim me emigrantë” dhe për policin “ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”. Dhjetë personave të tjerë për të cilët prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim, u janë shqiptuar masa të tjera të kujdesit.

