Forcat policore sot në ora 4 të mëngjesit ia kanë mësyer edhe fshatit Orizare të komunës së Likovës. Ende pa zbardhur drita, policia ka bastisur shtëpinë e Feta Alimit, policit hero nga ngjarjet e 27 prillit, i cili ia shpëtoi jetën kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Feta Halimi për momentin gjendet në Zvicër. Lidhur me aksionin policor, për Gazetën Lajm rrëfejnë familjarë të tij.
“Ka pasur shumë policë. Nuk e kemi të qartë pse kanë ardhur në terr të natës të bëjnë bastisje, kur dihet se Fetahu as nuk fshehet, e as nuk ik nga policia. Ai për momentin gjendet mysafir në Zvicër. Policia në fund të bastisjes tha se janë duke e kërkuar për armë”, thotë një familjar i Fetahut, i cili dëshiron të mbetet anonim.
Familjarët thonë se në mesin e policëve ka pasur dhe shqiptarë dhe se sjellja e tyre nuk ka qenë arrogante. Mirëpo dyshojnë se bëhet fjalë për presion ndaj familjarit të tyre. “Po mundohen ta thyejnë Fetahun, ta detyrojnë të ju nënshtrohet, mirëpo kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë për Gazetën Lajm familjari i Fetahut.
Ai tregon se pasi ka kryer bastisje, policia u ka thënë familjarëve që kur të kthehet nga Zvicrra të paraqitet në polici. “Nuk na thanë se Fetahu kërkohet që të arrestohet”, theksojnë familjarët.