Policia e Tiranës ka bërë me dije se në përplasjet e shënuara mëngjesin e të martës mes banorëve dhe policisë në zonën e 5 Majit, kanë mbetur të plagosur “5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake”.
Policia e Tiranës tha se ka shoqëruar disa persona në Komisariat. “Cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin”, thuhet ne njoftim.
Tiranë/Informacion paraprak
Sot në orët e para të mëngjesit, në zbatim të vendimit për shembjen e disa banesave në rrugën “5 Maji”, gjatë rezistencës së banorëve, janë dëmtuar në detyrë 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake. Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore.
Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve.
Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin.
Policia e Shtetit apelon për këdo të ndalë e shmangë aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.









