Administrata e Policisë Financiare i ka paraqitur Prokurorisë Themelore Publike në Strugë kallëzim penal kundër një personi fizik – pronar dhe administrator i një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimore” nga neni 279 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
I pandehuri i parë B.Z., në cilësinë e pronarit dhe administratorit të subjektit juridik të pandehur të dytë, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar për të fituar përfitim të paligjshëm pasuror për vete dhe për subjektin juridik, ka kryer veprën penale “Shmangie tatimore” në atë mënyrë që nuk i ka njohur si të ardhura detyrimet e vjetruara dhe të papaguara në shumën totale prej 30.946.170 denarësh, të paraqitura në bilancin bruto për vitin 2025, edhe pse ato, sipas nenit 363 të Ligjit për Marrëdhëniet Obligative, vjetrohen brenda afatit prej tre vjetësh dhe për to nuk janë nisur procedura gjyqësore për arkëtim. Pavarësisht se ishte i detyruar që në bilancin tatimor për vitin 2025 të shprehte detyrimin tatimor, i pandehuri i parë nuk e ka bërë këtë, me çka nuk ka llogaritur, nuk ka deklaruar dhe nuk ka paguar tatimin mbi fitimin me normë tatimore prej 10%, në shumën prej 3.094.617 denarësh.
Përveç kësaj, i pandehuri i parë huat e dhëna të evidencuara kontabël ndaj personave fizikë në shumën prej 14.254.665 denarësh, të cilat nuk janë kthyer deri në fund të vitit, nuk i ka evidencuar në bilancin tatimor si shpenzime të panjohura për qëllime tatimore në emër dhe për llogari të personit juridik të pandehur të dytë, nuk i ka deklaruar dhe për to nuk ka llogaritur e nuk ka paguar tatimin mbi fitimin me normë tatimore prej 10%, në shumën prej 1.425.467 denarësh.
Me veprimet e lartpërmendura, të pandehurit nuk i kanë llogaritur, nuk i kanë deklaruar dhe nuk i kanë paguar detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj, me çka e kanë dëmtuar Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumën totale prej 4.520.084 denarësh.



