Gazetarët që po raportojnë për protestat e vazhdueshme në Hong Kong kanë thënë se janë duke përjetuar shtim të dhunës në duart e policisë.
Ankesa kundër policisë ka të bëjë me disa lloje të dhunës, përfshirë shtyrjet, përdorimin e sprejit kundër syve dhe përdorimin e gazit lotsjellës kundër gazetarëve. Për këtë arsye, Klubi i Korrespondentëve të Huaj në Hong Kong i ka përsëritur thirrjet për zhvillimin e një hetimi të pavarur për veprimet e policisë.
Ky klub tha se ka vërejtur rritje të numrit të incidenteve me dhunën e policisë kundër gazetarëve që kanë qenë duke raportuar për protestat në Hong Kong. Sipas këtij grupi, sulmet ndaj gazetarëve po bëhen gjithnjë e më serioze dhe po ua bëjnë më të vështirë punën atyre.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve i ka raportuar më shumë se 30 incidente të dhunshme kundër gazetarëve nga 9 qershori deri në fund të muajit gusht. Në këto raste, gazetarët janë sulmuar nga policia, kalimtarët e rastit dhe madje edhe nga protestuesit në disa raste.
Për t’i shpërndarë protestuesit, policia e Hong Kongut ka përdorur vazhdimisht kamionë me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Në anën tjetër, protestuesit e kanë sulmuar policinë me koktej molotovi dhe kanë ndezur disa herë zjarre në rrugë dhe pranë ndërtesave, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




