Nënkryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me ngjarjet e rënda që kanë tronditur vendin gjatë kësaj të marte, ku janë shënuar disa viktima në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Gjekmarkaj shprehet se këto ngjarje janë pasojë direkte e mungesës së shtetit dhe e dështimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë publike.
“Pesë ngjarje tragjike brenda një dite nuk janë rastësi, janë pasojë direkte e mungesës së shtetit, e mungesës së kontrollit, e mungesës së rendit dhe e dështimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë publike”, shkruan ai.
Sipas tij, qeveria ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë shkatërrimit të rendit dhe mungesës së zbatimit të ligjit, ndërsa policia është shndërruar në aparat propagande.
“Kur drejtësia hesht, kur policia shndërrohet në aparat propagande, kur jeta e qytetarit humbet çdo vlerë, atëherë shteti ka dështuar në misionin e tij themelor”, thekson ai.
Nënkryetari i PD shton se Shqipëria nuk mund të prezantohet si “një nga vendet më të sigurta në Europë” ndërkohë që qytetarët vriten në rrugë, në punë dhe në shtëpi.
Reagimi i Gjekmarkajt:
Ngjarjet e rënda që kanë ndodhur gjatë orëve të fundit tregojnë më qartë se kurrë krizën e thellë të sigurisë publike në Shqipëri.
Në Vlorë, një kamarier i ri humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që ecte me shpejtësi. Në Tiranë, një kuzhinier u vra nga picieri. Në Durrës, një baba nga i biri. Në Berat, një turist i huaj nga qiraxhiu i kuajve. Në Shkodër, një punonjës shteti u bë “viktimë” e tritolit.
Pesë ngjarje tragjike brenda një dite nuk janë rastësi, janë pasojë direkte e mungesës së shtetit, e mungesës së kontrollit, e mungesës së rendit dhe e dështimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë publike.
Në vend që të garantojë jetën e qytetarëve, qeveria ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë shkatërrimit të rendit, arrogancës në rrugë, lirimit të elementëve të rrezikshëm dhe mungesës totale të zbatimit të ligjit.
Kur drejtësia hesht, kur policia shndërrohet në aparat propagande, kur jeta e qytetarit humbet çdo vlerë, atëherë shteti ka dështuar në misionin e tij themelor.
Shqipëria nuk mund të prezantohet si “një nga vendet më të sigurta në Europë” ndërkohë që qytetarët e saj vriten në rrugë, në punë e në shtëpi.
Siguria publike nuk është luks, është detyrim kushtetues i shtetit. Është koha që qeveria të ndalë propagandën dhe të përballet me realitetin.


