Pas gati një dekade nga paraqitja e padisë, një polic nga Ferizaj më në fund ka fituar të drejtën për një shumë prej 1,824 euro e 64 cent – kompensim për punën që kishte kryer me përgjegjësi të një togeri, por që ishte paguar si rreshter, shkruan Demokracia.com.
Rasti i tij, që ka filluar më qershor të vitit 2018, përfundoi me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt më 8 gusht 2025. Pra, për një të drejtë që do të mund të zgjidhej për pak javë, sistemi gjyqësor ka marrë shtatë vjet.
Një polic punon si toger, paguhet si rreshter
Paditësi K. Sh., që në atë kohë kishte gradën Rreshter, ishte caktuar si Udhëheqës i Njësisë Reaguese në Stacionin Policor të Ferizajt – një pozitë që i takon gradës Toger.
Ai e ushtroi këtë detyrë për dy vite e tetë muaj, nga mars 2016 deri në nëntor 2018, duke kryer punë që i takonin një pozite më të lartë.
Megjithatë, përkundër përgjegjësisë shtesë, ai nuk u kompensua kurrë për diferencën në pagë.
Në padinë e dorëzuar në vitin 2018, përmes avokatit të tij Liman Musa, polici kishte kërkuar që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Policia e Kosovës ta kompensojnë për diferencën në pagë, duke u mbështetur në Udhëzimin Administrativ 04/2017, i cili qartë përcakton se “ushtruesi i detyrës gëzon të gjitha të drejtat dhe beneficionet që i kanë takuar punonjësit që më herët ka qenë në atë pozitë”.
MPB refuzon, gjykatat zvarrisin
Policia e Kosovës dhe MPB, përmes Avokaturës Shtetërore, e kontestuan kërkesën, duke pretenduar se ankesa ishte bërë “jashtë afatit ligjor”.
Në vend që ta shqyrtonte menjëherë thelbin e kërkesës, sistemi administrativ dhe më pas ai gjyqësor hynë në një maratonë burokratike që përfundoi vetëm pas dy rigjykimesh dhe një ekspertize financiare.
Përfaqësuesit e MPB-së madje nuk morën pjesë as në seancën kryesore të korrikut 2025, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të gjykatës – një praktikë që, për fat të keq, është bërë e zakonshme në rastet ku pala e paditur është vetë shteti.
Gjykata i jep të drejtë policit
Pas gjithë këtij kalvari, gjykatësja Kreshnike Zymberi Beqiri, me asistimin e bashkëpunëtorit profesional Gent Mustafa, vendosi ta aprovojë padinë në tërësi, duke detyruar MPB-në që t’ia paguajë diferencën prej 1,824.64 euro, me kamatë ligjore prej 8% nga dita e paraqitjes së padisë, si dhe 865 euro për shpenzimet e procedurës gjyqësore.
Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se paditësi ka kryer realisht detyrat e një togeri dhe se “nuk qëndron pretendimi i MPB-së për afate të skaduara”, pasi kërkesa lidhet me të ardhura nga marrëdhënia e punës, të cilat parashkruhen brenda afatit trevjeçar, e jo me kërkesë për kthim në detyrë.
Një e drejtë minimale, një proces absurd
Rasti i policit nga Ferizaj nuk është as i rrallë, as i përjashtuar. Ai është vetëm një shembull ilustrues i mënyrës sesi drejtësia në Kosovë funksionon me orarin e vet të ngadaltë, pa llogari për dëmin njerëzor e profesional që shkakton.
Në vend që shteti ta shpërblente policin për punën e kryer mbi detyrë, e detyroi ta kërkojë të drejtën nëpër zyra e korridore për vite të tëra, derisa më në fund, një gjyqtare vendosi ta lexojë siç duhet ligjin.
Në fund, kompensimi i fituar 1,824 euro – është shumë më i vogël se çmimi i pritjes, i stresit dhe i neglizhencës shtetërore që e ka shoqëruar këtë rast.
Nëse drejtësia do të kishte kohëmatës, sistemi gjyqësor i Kosovës do të ishte ndër më të ngadalshmit në Evropë. /Demokracia.com.


