Një dëshmitar i pazakontë u paraqit në Komisionin hetimor mbi realizimin e përgjimeve të paligjshme përmes pajisjes “IMSI Catcher”. Oficeri i Forcave Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Entjol Xhelili befasoi deputetët me veshjen, xhestet dhe qëndrimet e tij.
Në deklarimet e tij, Xhelili dëshmoi se pajisje përgjuese dhe trajnime për to janë zhvilluar edhe në kohën kur vendi qeverisej nga demokratët.
“Sa i përket pajisjes IMSI Catcher, kanë hyrë pajisje përgjuese vazhdimisht edhe në kohën tuaj, edhe në vitin 2011, në kohën kur ju ishit ministër”, tha Entjol Xhelili, specialist i Forcave Operacionale.
Nisur nga kjo dëshmi, deputetët e mazhorancës pritet t’i kërkojnë Parlamentit zgjatjen e periudhës për kohën e hetimit.
Në komision dëshmuan edhe dy zyrtarë të burgjeve, të cilët pohuan se oficeri Entjol Xhelili ka hyrë në dy raste me një automjet brenda perimetrit të sigurisë.
“Automjeti është futur konform rregullores dhe çdo procedure kontrolli, regjistrimi etj.”, tha Besnik Kaptelli, ish-shef i Policisë së Burgut Peqin.
“Ka hyrë një person te porta e sigurisë dhe ka qëndruar për afro 9 minuta pa u futur në institucion”, tha Gëzim Gjoni, ish-oficer Informacioni në Burgun 302.
Për deputetët e opozitës, që publikuan edhe shënimin në një nga librat e shërbimit, ky është një fakt që policia ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në burgjet e vendit.
Debatet në Komision
Flamur Noka: Keni marrë pjesë në trajnime?
Entjol Xhelili: Nuk e mbaj mend mirë. Firma ka sjellë IMSI Catcher gjatë kohës që keni qenë ju Ministër.Kam marrë pjese ne trajnim. Përgjime të paligjshme nuk ka pasur, për 15 vjet që unë jam oficer policie nga ana ime nuk është shkelur asnjëherë ligji.E vërteta është vetëm kohë.
Flamur Noka: Na thoni datën, kohën, çfarë paisje dhe kush i ka bërë trajnimet?
Entjol Xhelili: Nuk më kujtohen. Në 2011 mos gaboj.
Flamur Noka: Dëshmitari Gëzim Gjoni, sot me detyrë shef i policisë në burgun e Fushë Krujës, dikur me detyrën e oficerit të infiormacionit në burgun 300 dëshmoi se ju keni hyrë në ambientet e jashtme të burgut 302. Mund të na thoni, e mbani kur dhe pse keni hyrë?
Entjol Xhelili: Çështja është në hetim. Nuk e mbaj mend ku por asnjëherë në mënyrë të kundraligjshme.
Flamur Noka: Keni hyrë apo jo?
Entjol Xhelili: Nuk më kujtohet. Ne hyjmë gjithandej sa herë na jep autorizim prokuroria, gjykata dhe nuk mund ti mbaj mend.
Flamur Noka: Të pyeta konkretisht?
Entjol Xhelili: Nuk e mbaj mend.
Flamur Noka: A jeni i trajnuar dhe a keni dëshminë e një specialisti për matjen e cilësisë së ajrit dhe lagështisë së ajrit.
Entjol Xhelili: Jo.
Flamur Noka: A keni përdorur ndonjëherë paisje për matjen e cilësisë së ajrit dhe lagështisë së ajrit?
Entjol Xhelili: Jam oficer policie, nuk merrem me matjen e ajrit.
Flamur Noka: Keni përdorur ndonjëherë një mjet me targa AA 380 BD, mjet BMW ngjyrë e zezë?
Entjol Xhelili: Çështja është në hetim.
Flamur Noka: Po ju pyes për mjetin jo hetimet. A keni shkuar në ambjentet e ndonjë burgu të këtij vendi me këtë mjet, targë, me motivacionin për monitorim të matjes së cilësisë së ajrit.
Entjol Xhelili: Çështja është në hetim.
Flamur Noka: Dëshmitari Gëzim Gjoni pranoi se ju me datën 12.06.2015 në orën 13:46 e ka shënuar në librin e takimeve se ke hyrë në burgun 302 dhe jeni takuar.
Entjol Xhelili: Zotëria që ka deklaruar këtë është i përgjegjshëm, në moshë madhore. Unë e kam dëshminë në Prokurori.Nuk më kujtohet ta kem takuar, nuk e njoh.
Flamur Noka: Po me zotin Artur Zoto, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve njiheni?
Entjol Xhelili: Njihem, e kam pas shef komisariati.
Flamur Noka: Gjatë kohës që ka qenë drejtues i burgjeve po flas, keni pas kontakte pune.
Entjol Xhelili: Nuk më kujtohet.
25 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)