Një efektiv policie ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në Kuçovë, me armën e tij të shërbimit, pasi një person e ka plagosur teksa po e shoqëronin në komisariat.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se shtetasi me iniciale Z. S., 45 vjeç, po transportohej nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, ku kreu plagosjen e efektivit A.T., 20 vjeç.
Mësohet se 45-vjeçari është konfliktuar me punonjësin e Policisë dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën, ndërsa efektivi i lënduar është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të 45-vjeçrit, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Kuçovë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë.


