VMRO-DPMNE dhe BDI tre netë më parë kanë hapur negociatat e para për formimin e Qeverisë së re apo vazhdimin e qeverisjes së tyre. Lajmi bëhet i ditur nga burime partiake të BDI-së për INA, por ai u konfirmua edhe në disa portale maqedonase.
Hoteli Radika në Mavrovë ka qenë pikë takimi i parë ku emisari i BDI-së ka qenë Musa Xhaferri, ndërsa si palë tjetër ka qenë kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, por bisedohet edhe për bashkëpunëtor të tjerë. Takimi ka qenë i zhvilluar nën masa të forta të sigurisë dhe larg vëmendjes së mediave. Këtë detaj e kanë dhënë edhe punonjës të hotelit të cilët kanë theksuar se gjithçka ishte e blinduar, për të mos depërtuar takimi në opinionin e gjerë.
“Në tryezë siç mësohet ka qenë e shtruar ideja për formimin e një qeverie të zgjeruar, e cila do të funksiononte deri në shtator, kur sërish do të mbaheshin zgjedhje të reja të parakohshme në pako me zgjedhjet lokale. Deri atëherë do të funksiononte një qeveri e zgjeruar. Ndër variantet e tjera është edhe qeveria VMRO-DPMNE, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, por me kryeministër Nikolla Popovskin. Gruevski ka insistuar që mandatar të jetë Nikolla Todorov, por ky variant është refuzuar nga ana e BDI.”, theksuan për INA, burime partiake të afërta me këto parti. Presidenti Gjorgje Ivanov deri të hënën pritet tia dorëzojë mandatin partisë që fitoi më shumë deputetë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, gjegjësisht VMRO-DPMNE-së, e cila ende nuk është deklaruar se kush do të jetë mandatari nga radhët e saj dhe a do të jetë Gruevski apo dikush tjetër. (INA)