Një 32 vjeçar në Shkodër ka denoncuar mëngjesin e sotëm pranë policisë se mbrëmjen e djeshme (10 tetor) është kërcënuar me armë zjarri nga dy persona.
Sipas denoncimit të tij, dy persona të cilët po qarkullonin me motomjet, kanë ndaluar para tij dhe i kanë drejtuar armën e zjarrit.
Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali në pedonalen e Shkodrës.
Denoncimi i këtij rasti është bërë mëngjesin e sotëm rreth orës 09:30 nga shtetasi A.B., 32 vjeç.
Sakaq, uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe deri më tani dyshojnë për dy shtetas, por nuk kaë dhënë informacione të mëtejshme për arsye hetimore.
Grupi hetimor po vijon me punimet për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.
NJOFTIM
Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.
Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.