Me 16 vota pro dhe pesë të përmbajtura , në seancën e sotme të këshillit të komunës së Tetovës u miratua buxheti i komunës për vitin 2018, vlera e të cilit arrin 30 milion euro.
Megjithatë në seancën e sotme, edhe pse pritej zgjedhja edhe e kryesuesit të këshillit, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe as që u pa të vihet në rend dite.
E pyetur nga kolegët gazetarë se a ka ende koalicion në nivel lokal me PDSH-në, Teuta Arifi ka mohuar të jetë prishur koalicioni, por nuk ka sqaruar mirë për publikun nëse janë apo jo ende në marrëveshje për përkrahje të këshillit.
Interesant ishte fakti se pro miratimit të buxhetit kanë votuar edhe këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët, të cilët javë më parë ishin kundër vendimeve të këshillit, gjë kjo që aludon në prishjen e koalicionit të ndërsjellë edhe mes BESA-s dhe Aleancës. Të kontaktuar nga redaksia e Tetova 1, të dyja palët janë shprehur se nuk prishet aleanca mes BESA-s dhe Aleancës, por nuk kanë sqaruar se përse votuan të ndarë buxhetin e sotëm.
Sipas disa informatave, votimi pro buxhetit të komunës sot në Tetovë ka ndodhur si rezultat i marrëveshjes mes BDI dhe Aleanca, për përkrahje të ndërsjellë në sjelljen e buxhetit në komunën e Gostivarit.