Një skenë tronditëse është parë mbrëmë në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku gjinekologu i njohur Afrim Veliu, rreth 60-vjeçar, është sulmuar fizikisht në mes të rrugës nga një person ende i panjohur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, rreth orës 21:30, në rrugën “Henry Dynant”, ku mjeku ishte duke kaluar, kur papritur është goditur me forcë nga një individ i panjohur.
“Ishte i tëri i përgjakur, nuk dinte nga të shkonte. Po kërkonte ndihmë, me duar në kokë“, ka rrëfyer për median një banor i ndërtesave përreth që kishte parë ngjarjen.
Sipas dëshmitarit okular, sulmi ishte brutal dhe i paarsyeshëm, ndërsa autori ishte i veshur në të zeza, me trup i gjatë dhe është larguar pas sulmit me vrap.
Policia është vënë në kërkim intensiv të personit që sulmoi sonte gjinekologun Afrim Veliu, ngjarje kjo që ndodhi në rrugën Henry Dynant në lagjen Ulpiana të Prishtinës
Edhe nga prokuroria kanë bërë të ditur se tashmë është siguruar një përshkrim i saktë fizik i sulmuesit, janë identifikuar dëshmitarët okularë dhe është në proces verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë që mbulojnë vendin e ngjarjes dhe zonat përreth.
Sipas përshkrimit që disponon prokuroria, i dyshuari është: Rreth 185 cm i gjatë, i dobët në trup, i veshur me trenerka të zeza, ka gjasa që teshat e tij të jenë përlyer me gjak, për shkak të plagëve të shkaktuara viktimës.