Ethet e zgjedhjeve lokale kanë motivuar dhe analistët në vend për t’i komentuar zhvillimet e fundit politike që ndodhin në vend. Ashtu, edhe analisti politik, Bujar Plloshtani ka komentuar koalicionin e fundit që ka ndodhur mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. Ai këtë koalicion e sheh si një nevojë dhe sfidë për t’i bërë ballë koalicionit të mëhershëm të BDI-LSDM në komunat me shumicë shqiptare.
Ai në komentin e tij shton se koalicioni mes partive shqiptare ASH-BESA është bërë në sajë të një nevojë të domosdoshme për bashkëpunim për fuqizimin e votës shqiptare dhe për t’i nxitur të papërcaktuarit të dalin në votime.
“Koalicioni mes ASH-BESA është dashur të bëhej që më herët në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2016, mirëpo tashmë koalicioni i tillë ka rezultuar si nevojë e domosdoshme e bashkëpunimit në raundin e dytë, ashtu sikurse ishte e imponuar nevoja për një koalicion parazgjedhor mes LSDM-BDI. Koalcionet në nivel lokal ka dhe synim për fuqizimin e votës shqiptare dhe për të nxitur votuesit e hamendshëm të dalin të votojnë. Gjtihsesi se ky koalicion bëhet mbase edhe për të pasur mundësinë e ndryshimit të kësaj politike 15 vjeçare të drejtimit të komunave shqiptare nga një subjekt politik siç është BDI-ja. Andaj, koalicionin BDI-LSDM nuk e shoh si një ofertë kombëtare të tyre, por një mundësi për t’i mbajtur nën kontroll drejtimet e komunave edhe për një mandat”, shton për TetovaPress, Bujar Plloshtani, analist politik.
Sipas tij, koalicioni mes ASH dhe BESËS në këto zgjedhje lokale, në njëfarë mënyre ishte e paralajmëruar që në raundin e dytë do të ketë udhë për të pasur bashkëpunim, varësisht peshës së votës së qytetarëve.
“Pesha e qytetarëve diktoi që të ndodhë ky koalicion, ku tregoi se balotazhi tashmë zhvillohet në të gjitha komunat mes koalicionit ASH-BESA kundër BDI-LSDM. Koalicioni BDI-LSDM u realizua që në raund të parë për t’i fituar më lehtë Aleancën dhe Besën si të ndara, ndërkaq, në raund të dytë vota e qytetarit diktoi se i duhet një koalicion për t’i bërë ballë si të bashkuara dhe jo si të ndara”, përfundon për TetovaPress, Bujar Plloshtani, analist politik