Partia Liberal Demokrate ka paralajmëruar se sot në Kuvend do të dorëzojë propozim që Maqedonia e Veriut të bëhet me vetëm një njësi zgjedhore. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha se partia e tij e mbështet një njësi zgjedhore me mundësi që të votojë edhe diaspora, por deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë bisedë me asnjë parti tjetër lidhur me këtë çështje.
“Unë nuk kam filluar axhendë politike që të kërkoj konsensus për këtë temë, sepse ky është propozim i një partie tjetër politike…Nuk jemi ulur me askënd deri më tani që të flasim, por parimisht si VMRO-DPMNE, si grup parlamentar i VMRO-DPMNE-së, ne do të mbështesim një njësi zgjedhore ku do të ketë të drejtë të votojë edhe diaspora…përndryshe nuk kemi debat politik, ose ndonjë axhendë tonën që të ulemi të kërkojmë kompromis, konsensus dhe kështu me radhë”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër. /Alsat.mk