Kjo nuk është një shkretëtirë e boshatisur, por plazhi i shkatërruar i quajtur “Parku” përreth lumit Vardar. Plazhi te “Parku i lojërave” është ndërtuar në vitin 2010 dhe për të ishin shpenzuar 6.3 milionë denarë. Tani rëra është e mbushur me bar.
Një pjesë e qytetarëve të anketuar thonë se këto para të qytetarëve janë harxhuar kot, kurse disa të tjerë mendojnë se qyteti nuk duhet ta lërë pas dore këtë vend.
“Unë këtu ec shumë shpesh dhe është për t’u ardhur keq se është në gjendje të tillë. Pamja është e pakëndshme. Nuk ka asgjë të re. Kjo nuk është bukur për qytetin”, tha një qytetar.
“Kurrë nuk e kanë ringjallur, nuk kemi nevojë për to. Ne nuk kemi kulturë për të shfrytëzuar një plazh në Shkup”, deklaroi një qytetar tjetër.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Qyteti i Shkupit nuk i mirëmban objektet e ndërtuara, duke shtuar se asgjë e re nuk po ndërtohet.
“Absolutisht, kjo është e papranueshme për një pushtet lokal, që deri në atë nivel të privatizohet që të shfrytëzohet për revanshizëm politik nga ana e pushtetit aktual. Por gjithçka është e mundur, asgjë nuk po ndërtohet. Siç e la VMRO-DPMNE-ja, asnjë gozhdë nuk është vënë, po gjithashtu nuk mirëmbahet ajo që është ndërtuar”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO.
Nga Qyteti i Shkupit premtojnë se kjo hapësirë do të rregullohet, po nuk zbulojnë për çka do të shfrytëzohet.
“Plazhi i qytetit “Parku” nuk funksionon që nga viti i kaluar kur koncesionari i tij filloi një procedurë falimentimi. Qyteti i Shkupit, vjet, pas përfundimit të sezonit i tërhoqi të gjitha pajisjet urbane, kurse planifikojmë që në pranverë të rregullohet hapësira përreth. Në këtë lokacion ende janë në funksion fushat sportive në rërë për hendboll dhe volejboll”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Përndryshe, Qyteti i Shkupit në vitin 2011 e hoqi plazhin i cili ishte vendosur pas Urës së Gurit, vetëm pesë vjet pasi që për projektin në fjalë ishin ndarë 8.7 milionë denarë.