Kryeministri Edi Rama në një intervistë për portalin DialogPlus ka komentuar debatin rreth krizën në Maqedoni e në veçanti atë për deklaratën e partive shqiptare duke theksuar se ai veçse e ka ndihmuar procesin e komunikimit në mes partive shqiptare për të arritur përpilimin e deklaratës.
“Kjo është një lojë politike. Dhe këtë e dinë shumë mirë ata që e luajnë, sepse shqiptarët s’kanë qenë, s’janë dhe as që do të jenë problemi i Maqedonisë, por shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë njësi shtetformuese, të drejtat e së cilës nuk mund të trajtohen si favore”, ka deklaruar Rama.
Ai gjithashtu ka thënë Ballkani nuk do të merret me kufijtë e vet deri kur do të besojë tek Evropa dhe deri kur Evropa do të vazhdojë të motivojë Ballkanin si një horizont të patjetërsueshëm.
“Fati i stabilitetit në Ballkan dhe i vetë njerëzve të gjeneratës tjetër në Ballkan është i lidhur ngushtësisht me fatin e Evropës. Nëse mbyllet perspektiva evropiane, nëse dështon anëtarësimi në BE, atëherë në Ballkan hapet debati për kufijtë”, ka thënë Rama.