Pesë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare partitë e opozitës, të drejtuara nga Partia Demokratike kanë paraqitur sot platformën e përbashkët politike. Kryeopozitari Lulzim Basha tha se qëndrimi i unifikuar i opozitës është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por qytetarët.
Basha theksoi se, zgjedhjet janë në rrezik për shkak të një sërë dukurish negative si krimi, korrupsioni, moszbatimit i ligjit të dekriminalizimit, narkotrafiku, si dhe shit-blerja e votës e amnistuar nga kryeministri Rama.
“Për këtë opozita ka paraqitur një platformë që prej 17 majit dhe që atëherë Rama vetëm ka sabotuar. Sot opozita është dakord për një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në thelb të saj qëndron ajo se zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët, por qytetarët”, tha Basha.
Ai rikonfirmoi se pikat kyçe të kësaj platforme mbeten: “votimi elektronik, kufizimi i financimeve, kufizimi mediatik dhe aspekte të tjera”.
“E reja është se kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme për shqiptarët se kjo nuk ka dhe s’mund të ketë. Ndaj opozita do të kushtëzojë çdo lëvizje të mëtejshme me platformën për reformën zgjedhorë”, vijoi Basha.
Kryedemokrati përshëndeti qëndrimin e LSI për të shkuar në zgjedhje me lista të hapura.
11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)