Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri ndaj 36-vjeçarit Arbër Goreja, i cili u qëllua nga një automjet në lëvizje teksa udhëtonte me makinë në zonën e njohur si “Fllakë e Egër”, mbrëmjen e së premtes, më 30 maj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, ndërsa në automjetin tip “Lancia”, përveç Goresë, ndodheshin edhe dy të mitur, të moshës 14 dhe 15 vjeç, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime.
Sipas informacioneve të para të hetimit, dyshohet se autori i ngjarjes është 30-vjeçari Kid Kazazi, banues në Kavajë, i cili, duke lëvizur me një automjet tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri (dyshohet pistoletë) drejt mjetit ku ndodhej shënjestra, gjatë një parakalimi.
Si pasojë e të shtënave, Arbër Goreja mbeti i plagosur dhe u transportua menjëherë në spital, ndërsa gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se disa ditë më parë, Goreja ka ushtruar dhunë ndaj babait të Kazazit, i cili ka pësuar dëmtime fizike.
Policia ka shpallur në kërkim 30-vjeçarin Kid Kazazi dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë vijuar veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 30.05.2025, në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë, shtetasi A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.