Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme, më 1 qershor 2025, në afërsi të zonës bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, ku dy shtetas që po lundronin me një mjet Jet Ski kanë humbur kontrollin dhe kanë përfunduar në ujë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 11:15, kur Policia Kufitare në Portin e Durrësit është njoftuar për rastin dhe ka ndërhyrë menjëherë me një mjet lundrues për të dhënë ndihmën e parë. Të dy personat janë nxjerrë nga uji dhe janë transportuar menjëherë drejt portit, me qëllim dërgimin në spital.
Sipas të dhënave paraprake nga ekipi i urgjencës që priste në port, njëri nga të dëmtuarit, shtetasi S. O., 34 vjeç, me banim në Angli, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërsa shtetasja tjetër, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu me banim në Angli, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shtruar me urgjencë në spital.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.
Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.