Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të një 28-vjeçari, Juglen Abazi ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar (2 gusht) në rrugën “Thoma Filipeu”, në zonën e Freskut.
Policia thotë se ka shpallur në kërkim Klejvis Caka (Lusha) 26 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si autor i plagosjes. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë është arrestuar në flagrancë Xhonatan Qerimi, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”. Në kërkim është shpallur në kërkim edhe Andi Gurra 26 vjeç, banues në Tiranë, gjithashtu për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Xhonatan Qerimi dhe Andi Gurra kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja”, thote policia.
Njoftimi:
Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Identifkohet dhe shpallet në kërkim autori i plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit, ndodhur dje në mbrëmje në zonën e Freskut.
Arrestohet njëri prej bashkëpunëtorëve të tij, shpallet në kërkim tjetri.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Thoma Filipeu”, në Fresk, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 28-vjeçari J. A., specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Në vijim të veprimeve proceduriale:
-U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-U arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”;
-U shpall në kërkim shtetasi A. G., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Xh. Q. dhe A. G. kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.