Një gazetar i Fox News është lënduar në periferi të Kievit të Ukrainës. Këtë e ka konfirmuar vet mediumi ku ai punon.
Sipas këtij mediumi, ekzistojnë “shumë pak detaje për ekipin në terren që po punon shumë – duke tentuar të mbledhin sa më shumë informacione lidhur me rastin”.
E këto raportime vijnë pasi në profilin e Kryeprokurores së Ukrainës, Irina Venediktova, është bërë e ditur se të hënën një gazetar britanik është plagosur rëndë në Ukrainë, dhe aktualisht është në repartin e kujdesit intensiv nën mbikëqyrjen e mjekëve.
“Ky njeri nuk ishte brenda ndonjë baze ushtarake, ku sipas zyrtarëve rusë – janë vazhdimisht cak i bombardimeve. Ai është lënduar rëndë”, thuhet ndër tjera në njoftimin e zyrës së prokurorit ukrainas.
Në anën tjetër një ditë më parë një gazetar i New York Times ka humbur jetën në Ukrainë, si pasojë e granatimeve të pandërprera nga forcat ruse.