Në orën 07:00 u hapën dyert e 3.480 vendvotimeve nëpër tërë territorin e Maqedonisë,në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Ishin ata më të moshuarit që më herët shkonin të realizonin të drejtën e tyre si qytetarë, shkruan Almakos.
Në mëngjes, KSHZ, doli në konferencën e parë për media, në të cilën shpalosi sa qytetarë kanë votuar deri në orën 10:00.
“Deri në orën 10:00 në territorin e Maqedonisë për të votuar kanë dalë 8,98 për qind. Deri në këtë orë pjesëmarrja më e vogël është shënuar në Vrapçisht 3,51 për qind, ndërsa më e madhe në Demir Kapi prej 19,15 për qind. Në territorin e Qytetit të Shkupit jehona ka qenë 9,56 për qind. Pjesmarrje mw e vogël është vërejtur në komunat e Shkupit, ku në Çair 5,76 për qind, ndërsa më të madhe në Gjorçe Petrov 11,53 për qind”- tha zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska.
Në konferencën e dytë të KSHZ, e cila u mbajt në orën 14:00, nga të dhënat e publikuara u vërejt një përqindje më e lartë e qytetarëve të cilët kishin dalë për të votuar.
Megjithatë, sipas të dhënave vërehej se në komunat me shumicë shqiptare, numri i qytetarëve të cilët kishin votuar ishte më i ulët se në komunat me shumicë maqedonase.
“Dalja në votime deri në orën 13:00 është 27.11 për qind për tërë territorin e Maqedonisë. Jehona e votuesve deri në këto çaste është rritur dukshëm, në krahasim me orët e hershme të mëngjesit. Qytete me shumicë shqiptare vazhdojnë të janë me numrin më të vogël të pjesëmarrësve në zgjedhje deri në ora 13”- tha Lupka Guguçevska.
Në orën 18, Komisioni Shtetërorë Zgjedhore publikoi edhe të dhënat më të fundit, konkretisht sa ishte numri I votuesve në orën 17:00. Bazuar në të dhëna e orës 18, interesimi i qytetarëve në këto zgjedhje është më i ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale. Megjithatë krahasuar më statistikat e mëngjesit të së dielës, vërehej një rritje e numrit të qytetarëve që kishin dalë për të votuar.
“Dalja e votuesve në zgjedhjet lokale në Maqedoni deri në orën 17:00 është 49.14 për qind. Në territorin e qytetit të Shkupit është 50.58 për qind. Dalje më e madhe në nivel shtetëror është regjistruar në komunën e Vevçanit, ndërsa dalje më e ulët në komunën Rostushe në të cilën në zgjedhje deri në ora 17 kanë dalë 31.17 % nga votuesit e regjistruar. Dalje më e madhe e votuesve në zgjedhje nw qytetin e Shkupit është regjistruar në komunën e Gazi Babës 58.2 %, a më e vogël në komunën e Shuto Orizares me 33.83 %”- u theksua në konferencën e KSHZ-së.
Gjithashtu nga KSHZ u tha se në asnjë vendvotim nuk ka pasur vonesë më shumë se një orë, sepse përndryshe ligjërisht në vendvotimet ku vonesat zgjasin më shumë se një orë, kutitë mbyllen një orë më vonë.
Krah 5011 vëzhguesve, sot në ditën e mbajtjes së rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, shtatë zyrat e Avokatit të Popullit në Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip ishin të hapura për t’ju ndihmuar qytetarëve lidhur me të drejtën е realizimit dhe mbrojtjes së të drejtës së votës. Zyrat u hapën nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Përveç personalisht në zyra, qytetarët, parregullsitë zgjedhore do të mund t’i denonconin edhe në 8 numra telefoni që kishin në dispozicion.
Ndërsa, dita e djeshme ka qenë ditë për votuesit pa të drejtë lirie dhe personat me aftësi të kufizuara. Gjithsej 70% e të burgosurve me të drejtë vote në burgjet e Maqedonisë kanë votuar, tha Ljupka Guguçevska nga KSHZ. Të gjithë të burgosur nuk kanë arritur të votojnë.
Në burgun e Idrizovës ka 1.810 të burgosur, ndërsa në listën zgjedhore janë të evidentuar 955 votues nga 60 komuna. Ditën e djeshme të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 1.882 persona. Këtu përfshihen të burgosurit, të mbajturit në shtëpitë-ndëshkimore korrektuese, personat e zhvendosur, si dhe të pafuqishmit dhe të sëmurit të cilët kanë kërkuar atë nga komisionet zgjedhore komunale.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com