Policia e Shtetit njoftoi një ditë më parë se arrestoi shtetasin Saimir Gjepali, një personazh i njohur i kronikës së zezë, i cili rezulton i dënuar nga autoritetet italiane me 24-vite burg.
Dikur ai u konsiderua si njeriu që trafikoi drejt Italisë sasinë rekord të heroinës, rreth gjysmë toni. Më pas u arrestua, dënua, lirua derisa në janar të vitit 2017 i bëhet atentat, të cilit arrin t’i shpëtojë, ndërsa një vit më vonë kapet për laboratorin e heroinës së Has.
Gjepali u arrestua bashkë me grupin “Avdylaj”, por ia arrin ta mundë Prokurorinë dhe të lirohet nga Gjykata në vitin 2020, deri sa u arrestua ditën e djeshme, për llogari të drejtësisë italiane, ku pritet edhe të ekstradohet.
Në janar 2017 i shpëton atentatit pak metra larg banesës së tij:
Saimir Gjepali u qëllua me armë zjarri pak metra larg banesës së tij, teksa ishte duke u kthyer me mjetin e tij “Range Rover”. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:20, në lagjen “Ballias”, Shijak, të datës 6 janar 2017 ndërsa autorët i kanë zënë pritë.
Ai mundi t’u shmanget plumbave, duke e kaluar atentatin vetëm me një plagosje të lehtë në pjesën e parakrahut. Pasi ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal të Durrësit, ai është larguar për në banesë.
Asokohe, Policia e Shtetit pas kryerjes së hetimeve përkatëse nuk do të arrinte të zbulonte asnjë detaj apo arsye se përse iu bë atentat Gjepalit, megjithëse e lidhte me të kaluarën e tij kriminale si pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e heroinës nga Shqipëria në Itali, e cila u shkatërrua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Antimafia italiane.
Grupi shqiptar që përbëhej nga 5 shtetas nga zona e Shijakut, kishte mundur që gjatë viteve 2003-2004 të dërgonte në brigjet italiane sasinë rekord të 488 kg heroinë. Të rënë në gjurmët e aktivitet kriminal të kësaj bande, fillimisht hetimet për shkatërrimin e saj nisën nga Antimafia italiane dhe më pas ato u shtrinë edhe në Shqipëri, ku veprimet hetimore kryheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Arsenali i armëve në banesë dhe përgjimet me bashkëshorten:
Në 16 qershor 2018 nga policia e Durrësit u ushtrua kontroll tek banesa e Saimir Gjepalit, njërit prej të pandehurve të dosjes 339 në Shijak, ku u gjetën dhe sekuestruan 149 gram kokainë, një peshore elektronike, dy armë automatike, një armë pistoletë, një armë gjahu, një pistoletë sportive, një sasi municioni dhe një automjet i blinduar.
Nga përgjimi i bisedave që Saimir Gjepali bëri me familjarët e tij, rezultoi se i udhëzoi që të hidhnin lëndën narkotike dhe pistoletën që i mbante në banesën e tij, duke iu thënë që të mos e hapnin derën e dhomës, ku ndodheshin këto sende. Më tej Gjepali porosiste gruan e tij se nuk duhet të hapte derën e barakes pasi aty kishte dy automatikë kallashnikov.
Për më tepër, Gjepali e porosiste që dy kallashnikovët t’i hidhte tek pulat. Për të gjitha këto akuza ai mbahej në paraburgim te 313-ta.
Nila: Hë Shaqe!
Gjepali: Alo!
Nila: Ka ardh policia kontroll ke sh ‘pia e re, janë t ‘u e hap derën e sh’pisë së re
Gjepali: Ç’a thu ti ere?
Nila: Ç’a bë bëj?
Gjepali: Mos ia hap, mos ia hap, mos e hap
Nila: Jo! Ç’a t’i them, ç’a t’i them?
Gjepali: S’kam! E ka burri çelësin thuj, a n’gjon?!
Nila: Po, po! Ejj, mos bëjnë kontroll këtu?
Gjepali: Ku ri?
Nila: Këtu ke sh’pija jonë,
Gjepali: Mos e hap, derën fare Nila. Hajt
Nila: Ke sh’pija jonë që jena këtu
Gjepali: Kush është aty, kush është? Ç’a policie është?
Nila: Janë një tufë me maska, dy fugona
Gjepali: Ç’a thu ti ere?!!! Hajt
Nila: Ç’a të bëj këtu ke sh’pia jonë, ç’a të bëj kë sh’pija jonë?
Gjepali: Si?
Nila: Ç’a të bëj këtu ke sh’pia jonë?
Gjepali: S’ke ç’a me bo asgjë Nila, mbyll derën e dhomës aty përjasht, merr ke një pistoletë atje sipër asaj…,
Nila: Ku, ku, ku?
Gjepali:…sipër minibarit, kape hudhe andej nga S** (emër personi), hë
Nila: Ku, ku, ku?
Gjepali: Sipër minibarit, hudhe nga S**, hë, hajt!
Nila: Po, po
Gjepali: Hajt ”
Ndërkohë po në datën 16 qershor 2017 mes Saimir Gjepalit dhe gruas zhvillohet serish një bisedë ku mes tyre komunikohet si më poshtë, duke biseduar për fshehjen e dy armëve automatikë kallashnikovi dhe një pistoletë.
Gjepali: O Nila… thuje, jetoje atje, nuk jetoj këtu
Nila: ku?
Nila: Të mos vijnë për kontroll
Gjepali: Hudh vetëm pistoletën
Nila: E hudha
Gjepali: Mos e hap derën e barakes atje se ke dy kallashë, hidhi matanë, a dëgjon ti
Nila: Po
Gjepali: Hidhi mas pulave..ke dy kallashe atje
Nila: Hë?
Gjepali: Ke dy kallashe atje tek dhoma, sipër këpucëve, hodhi matanë tek…dhe hapi shtëpinë e vjetër, nuk jetoj më atje …jetoj më këtu.
Nila: Mirë, hajt
Gjepali: A dëgjon
Nila: Po më pyetën për ty, çfarë t’u them
Gjepali: Zotria ka ikur deri në Lushnjë..vetëm hedhi dy kallashët, mos e hap shtëpinë e re, as garazhe, asgjë…
Nila: Mirë, mirë,
Gjepali: Futi tek shtëpia e vjetër…hudhi dy kallashët matanë tek shtëpia e….”.
Revolta te “313”-ta dhe përplasja me gardianët:
Saimir Gjepali u bë sërish protagonist i kronikës së mediave shqiptare në 30 maj të vitit 2020, kur ai ishte pjesë e grupit që ndezën revoltën në burgun 313 në Tiranë, ku dhe vendosën policin me shpatulla pas tualetit. Ai ka qenë edhe subjekt i OFL-së.
Gjithçka nisi nga qelia numër 5 në natën e 21 maj 2020, ora 23:25 kur policët e burgjeve filluan kontrollin e qelive të Burgut “313” ku ishin vendosur 4 anëtarët e grupit “Avdyli” dhe një italian. Shtetasi italian, Giovani Di Cosimo, i cili ka qenë pacienti i parë me COVID-19 brenda sistemit të burgjeve u bë pjesë e asaj revoltë për shkak të miqve të tij. Në qeli me të ishin edhe Hajri Seferi, Astrit Avdyli, Altin Avdyli dhe Saimir Gjepali.
Nga kontrolli të paraburgosurve iu gjet një celular, pronësinë e të cilit, thotë raporti, askush nuk e pranoi duke e kundërshtuar. Sipas të dhënave që dolën të nesërmen e përplasjes u mësua se celularin mund ta kishte kaluar pastruesi në dhomën e tyre. Gjatë kohës së kontrollit, të paraburgosurit, po sipas dosjes, kanë kundërshtuar me forcë policinë. Momentet e tensionit kanë qenë të forta dhe efektivët janë kërcënuar me jetë dhe ofenduar nga të paraburgosurit që gjendeshin në këtë dhomë. Kundërshtimi dhe dhuna janë dokumentuara nga pamje filmike të kamerave të brendshme të sigurisë dhe madje edhe në një dosje që u tha se do të përdorej kundër tyre.
Në këtë dosje thuhet se në momentin që policët bllokuan derën e banjës brenda në dhomë që të mos hidheshin sendet e ndaluara dy të burgosur janë afruar me insistim për t’u futur në tualet duke u përplasur me policinë, madje “kanë përplasur policin me shpinë pas derës së tualetit”. Në përplasjen mes tyre u bë me dije se ishte vetë Astrit Gjepali që në hakërrim e sipër i thotë policit të burgjeve se për 10 ditë do të jem i lirë dhe në fakt ashtu ndodhi. Ai mundi ta fitonte lirinë, ndërkohë nuk u hetua asnjëherë për atë ngjarje.




