Në vend që ta shfrytëzojnë qytetarët ose kompanitë, shumica e sasisë së ujit të pijshëm në Maqedoninë e Veriut humb në sistemet e ujësjellësit të ndërmarrjeve publike.
Sipas të dhënave më të reja të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2022, nga sistemet e ujësjellësit në vend janë kapur dhe marrë 300.116.000 metër kub ujë për furnizim të konsumatorëve, që është për 2% më pak se në vitin 2021. Nga sasia e përgjithshme e ujit të kapur, më së shumti ujë (63,8%), është kapur nga burimet e ujit, ndërkaq më së paku (0,9%) nga liqenet.
Të dhënat që më së shumti shqetësojnë janë ata që tregojnë se qytetarët, nga kjo sasi e kapur kanë marrë vetëm 144.865.000 metër kub ujë, që do të thotë se sasia tjetër ka humbur në sistemet e ujit, në rrugën nga burimi deri te konsumatori. Sasia e këtillë e humbur e ujit në vitin 2022 ka arritur në 155.251.000 metër kub ujë, tregojnë të dhënat statistikore.
Numrat negativ të ESHS-së janë konfirmuar edhe nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe Shërbimeve të Ujit. 62,45% e ujit të prodhuar dhe të kapur nga sistemet e ujësjellësit në vitin 2022 ka qenë ujë që nuk është paguar, thuhet në raportin e KRRE-së.
Gjendja alarmante me humbjet e ujit të pijshëm është e pranishme edhe në kryeqytet, ku ndodhet dhe sistemi më i madh i ujësjellësit. Përqindja e ujit të pa paguar në kuadër të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup në vitin 2022 ka qenë 60,3%.
Në pjesën e ujit të papaguar hyjnë, shpenzimi legal i ujit që nuk është faktuar (26.335.521 metër kub) e cila shpenzohet për derdhjen në zona publike (gjelbërim, rrugë), ku në vend të ujit teknik, shpenzohet uji i pijshëm. Gjithashtu, në këtë përqindje hyn edhe shpenzimi ilegal dhe pasaktësia e ujëmatësve (7,2 milionë metër kub). Humbjet fizike të ujit për bije kanë qenë 27.690.883 metër kub (tubacionet dhe infrastruktura e vjetër nëpër të cilin kalon uji).