Të mërkurën, SHBA-ja ka marr vendim për pezullimin e përpunimit të vizave për 75 vende, përfshirë Kosovën.
Lidhur me këtë, ka folur për “Front Online” ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj.
Demaj tha se ky vendim duhet parë si një masë administrative dhe sigurie, e lidhur me rishikime të brendshme, dhe jo si një vendim politik.
“Vendimi i SHBA-së për pezullimin e përkohshëm të përpunimit të vizave për një numër shtetesh, përfshirë edhe Kosovën, duhet parë si masë administrative dhe sigurie, që lidhet me rishikime të brendshme, dhe jo si vendim politik i drejtuar veçanërisht ndaj Kosovës”, thotë Demaj.
Ai shton se pasojat për qytetarët janë kryesisht vonesa procedurale.
“Pasojat për qytetarët janë kryesisht vonesa procedurale dhe jo ndalim i plotë i lëvizjes”, deklaroi ai.
Ish-zëvendësministri shpjegon se fakti që Serbia nuk është në listë lidhet me kritere teknike dhe jo domosdoshmërisht me raporte politike.
“Fakti që Serbia nuk është në listë lidhet me kritere teknike dhe vlerësime individuale të secilit shtet, dhe jo domosdoshmërisht me raporte politike”, tha Demaj.
Demaj shprehet se situata tregon se Kosova ka nevojë për angazhim më të madh institucional.
“Kjo situatë tregon se Kosova ka nevojë për angazhim më të madh institucional, koordinim më të mirë dhe komunikim më intensiv diplomatik, i cili po i mungon Kosovës. Ky moment duhet shfrytëzuar si shtysë për përmirësim të mekanizmave shtetërorë, forcim të diplomacisë dhe rritje të besueshmërisë ndërkombëtare në partneritet me SHBA”, ka deklaruar ai.
Mungesa e një reagimi të shpejtë dhe e një strategjie të qartë diplomatike, sipas Demajt, rrezikon që masa të tilla të përsëriten.
“Kjo situatë ngrit edhe pyetje të arsyeshme për nivelin e gatishmërisë dhe reagimit institucional të Kosovës në raport me vendime të rëndësishme ndërkombëtare. Mungesa e reagimit të shpejtë dhe e një strategjie të qartë diplomatike rrezikon që masa të tilla të përsëriten, kërkohet më shumë përgjegjësi, planifikim dhe veprim konkret nga institucionet për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe pozitën e shtetit në raport me partnerët strategjikë”, tha Demaj për “Front Online”.


