Një peticion online ka filluar tashmë në Maqedoni për të kundërshtuar huamarrjen e paralajmëruar nëpërmjet euro-bondit në vlerë prej 650 milionë eurove.
”Jo për eurobondin” mban titullin ku peticion, përmes së cilit bëhet thirrje që të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Maqedonisë të nënshkruhen kundër emetimit të këtij eurobondi.
“Unë, qytetar i përgjegjshëm i Republikës së Maqedonisë, deklaroj se nuk e pranoj eurobondin e 650 milionë eurove që qeveria dëshiron ta emetojë dhe se nuk dua që ta kthej borxhin në vitet që vijojnë!“, thuhet në peticion.
Në lidhje me vendimin për huamarrje të re, reaguan edhe partitë jashtëparlamentare shqiptare. Nga Lëvizja BESA thonë se borxhi i ri i Maqedonisë, mund të jetë edhe fundi i saj.
“Llogaridhënia e funksionarëve deri më sot ka qenë shumë e vogël, të mos thuhet zero, që nënkupton se edhe këtyre parave, si të atyre më parë, nuk do t’u dihet as fundi as fillimi. Ato mund të përfundojnë në barok, shatërvanë, qenë, kuaj e luanë ose edhe në blerje të votave e të aktivistëve partiakë”, thuhet mes tjerash në reagimin e Lëvizjes BESA.
Ndërkohë, nga LR-PDSH thonë se edhe më herët kanë reaguar për non-sensin numerik të buxhetit fiskal të vitit 2016.
“Me vendimin e fundit të Qeverisë së Maqedonisë për marrjen borxh të 650 milionë euro përmes eurobligacioneve, me kamatë vjetore 7%, e cila do të ketë kosto kumulative rreth 1 miliardë euro, vërtetohet argumentimi i LR-PDSH-së se kjo shumicë qeveritare është kriminale dhe duhet çast e më parë të largohet për mos të lejuar të rëndohet më tej situata”, thuhet në reagimin e LR-PDSH-së.
Reagimeve të partive shqiptare i paraprinë edhe reagimet nga partitë opozitare maqedonase, duke formuar kështu një front kundër vendimit për huamarrje të re. Deri më tani, kundër këtij vendimi, përpos VMRO-së, nuk janë deklaruar as BDI-ja dhe PDSH-ja.
Abdulla Berisha /SHENJA/