Sot bëhen nëntë vjet nga përmbytjet katastrofale në Hasanbeg, Stajkovc dhe fshatrat përreth, ku humbën jetën 22 persona.
Gjatë motit të paprecedent dhe përmbytjes shkatërruese u shpëtuan mijëra qytetarë, ndërsa jetën e humbën 22 persona. Viktima më e re ishte një fëmijë dyvjeçar nga fshati Stajkovc.
Të ndjerët nga kjo fatkeqësi natyrore ishin nga rajonet e fshatrave Hasanbeg, Stajkovcë, Smilkovcë dhe Haraçinë. Shumica e viktimave humbën jetën në rrethrrotullimin e Shkupit, ndërsa disa u mbytën nëpër shtëpitë e tyre, të zënë nga uji dhe pa mundësi për të dalë.
Brenda 24 orëve të datës 6 gusht 2016, në Shkup ranë 92.9 litra shi për metër katror, ndërsa në dy orët e para të stuhisë u regjistruan mbi 800 rrufe.
Qytetarët nga e gjithë Maqedonia, të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i Krizës dhe institucionet përkatëse, u solidarizuan ditët në vijim për të grumbulluar ndihma të domosdoshme për të prekurit.
Data 8 gusht 2016 u shpall Ditë Zie.