Salla “Balsha” në hotelin “Tirana International” mblodhi mbrëmjen e së enjtes së 17 marsit figura të politikës, kulturës, akademizmit, klerit, etj., në ceremoninë e përurimit të librit të ish-presidentit Bamir Topi.
Botuar nga Fondacioni ALSAR, “Betejat e humbura të Tiranës” flet për kryeqytetin nga optika e një banori autokton. Në përkufizimin e vetë autorit, libri është e vërteta e tij për Tiranën, të cilën e ka parë dhe rrëfyer si qytet dhe kryeqytet.
Në radhën e personaliteteve që e kanë marrë fjalën në ceremoninë e përurimit mes pjesëmarrësve të shumtë, ka folur së pari kryetari i entit botues, Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Pasi u ka uruar fillimisht mirëseardhjen të pranishmëve, ai është ndalur te botimi i librit të ish-presidentit Bamir Topi, ka dhënë arsyet pse ALSAR-i zgjodhi ta botojë veprën, dhe ka vënë në pah njëkohësisht dhe aktivitetin botues të fondacionit.
“Bashkëpunimi ynë me z. Bamir Topi për botimin e këtij libri është mbështetur në faktin domethënës se ai është një qytetar i Tiranës, një banor i përhershëm i saj, një vendas që shkruan për Tiranën! Kapaciteti i tij intelektual dhe mundësia për të shprehur shqetësime reale dhe reflektime serioze për kryeqytetin në një botim na sollën te pëlqimi për t’ia botuar veprën,” u theksua në fjalën e z. Gurra.
Nxitur nga libri, folësit në vijim i kushtuan minuta të tëra Tiranës, nga Beqir Meta, Neritan Ceka dhe Arben Tafaj, te Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Kosovës.
Fjala e gjatë në fund e autorit, me tregime përjetimesh dhe konstatimesh që çuan në shkrimin e librit, do të mbyllej me falënderime, mes të cilave spikaste ajo për kryetarin e Fondacionit ALSAR.
“Dëshiroj të falënderoj nga zemra z. Mehdi Gurra, i cili tregoi një gatishmëri të menjëhershme – këto gatishmëritë e menjëhershme janë shumë natyrale, shumë natyrale – për ta botuar librin dhe për ta sjellë në dritë,” tha z. Topi.
Me falënderimet e autorit do të përfundonin dhe fjalët e mbajtura në ceremoninë e përurimit të botimit më të ri të Fondacionit ALSAR.