Shkruan Lura Pollozhani
Sinqerisht nuk prisja të ketë reagime kaq të fuqishme te Ligjit për përdorimin e gjuhëve (që tani ligji), së pari për shkak se mendoja që kjo temë ështe trajtuar aq shumë saqë deri tani do duhej të kishte ndonjë konsensus, së dyti sepse ligji është shumë i ngjajshëm me atë që ishin dakorduar të gjitha palët me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, dhe së treti sepse mendoja se ka reflektim dhe maturi të mjaftushme mes qytetarëve, sidomos pas ndryshimeve të rëndësishme që knaë ndodhur në muajt e fundit.
Kur e shkruajta kolumnën “Unë, armiku” para disa muajsh atëherë kur tema e gjuhës u hap përsëri, u mundova që të argumentoj se si dhënia e të drejtave një grupi nuk ia merr të drejtat një grupe tjetër, përkundrazi, ky është një proces që iu lejon që të dy grupeve të jenë barabarta. Tani e shoh se është e rëndësishme të theksohen edhe disa aspekte tjera të rëndësishme në këtë debat në mënyrë që të shihet pamja më e gjërë dhe që të mund t’u shpjegoj bashkëqytetarëve të mi se pse gjuha është e rëndësishme, dhe pse ky ligj është një hap i mirë, edhe pse jo i plotë, përpara.
Nga komentet që kam lexuar nëpër rrjetet sociale dhe në mediumet e ndryshme, këto janë argumentet kryesore që do doja ti adresoja:
- Argumenti që ligji rrezikon gjuhën maqedonase;
- Argumenti që shqiptarët kanë të drejta të mjaftushme apo të tepërta;
- Argumenti se në parim jemi në rregull me një ligj të tillë, por KY ligj nuk është i mirë;
- Argumenti se varfëria dhe probleme tjera janë më të mëdha, kurse gjuha nuk është aq e rëndësishme.
Gjitha këto argumente tregojnë mungesë të njohurisë dhe kuptimit të problemit të grupeve jo-shumicë, në rastin specifik, të shqiptarëve. Këto argumente janë të gjitha të lidhura njëra me tjetrën, dhe do doja të tregoj se si. Se pari, mendoj që është shumë e rëndësishme se ç’farë do të thotë të jesh minoritet në një shtet. Që ta bëj këtë do ndaj me ju tre rrëfime. Si fëmijë, para vitit 2001 pata ardhur në Shkup nga Struga dhe po flisja me nënën time me zë të lartë e të qeshur, deri sa dolëm në qendër dhe duke kaluar nëpër GTC nëna më tha “Lura mos flit shqip me zë të lartë sepse mund te kemi probleme.” Në atë kohë kishte pasur ngjarje të dhunshme kundër disa shitoreve shqiptare, nuk e mbaj mend saktë se pse dhe kur. Imagjinoni për një moment se si është për një fëmijë të dëgjojë se nëse e flet gjuhën e saj, në shtetin në të cilin ajo jeton, mund të jetë në rrezik. Kjo ishte hera e parë në jetën time që e ndjeva veten si “të ndryshme” dhe se ç’farë domethënie kjo mund të ketë në një kontekst të caktuar. Para disa vitesh, kur po ndodhnin rrahjet në qendër dhe nëpër autobuse mes shqiptarëve dhe maqedonasve, një shoqe e imja që pati ardhur të më vizitojë në Shkup nga një qytet tjetër më tha që të mos shkojmë të shëtisim në qendër sepse nuk është e sigurtë. Unë atëhere jetoja në Shkup dhe mendoja që do të isha e sigurtë në qytetin tim. Rrëfimi i tretë dhe i fundit, isha e ulur me vëllanë tim në një kafene përgjatë lumit në Shkup. Pas një loje basketbolli fansat e lumtur të ekipit reprezentativ të Maqedonia këndonin, dhe mes brohoritjeve, dëgjova disa që bërtitnin “vdekje për shqiptarët”. Vështrova njerëzit përreth meje që ti shoh reagimet e tyre, të gjithë qeshën kur dëgjuan, nuk mund të besoja – a është ky shteti im? Kjo pyetje është kyçe, se i kujt është ky shteti, a është i qytetarëve të saj apo vetëm i disave? Ç’farë domethënie do të kishte nëse përgjigja e kësaj pyetjeje do të ishte që Maqedonia është e të gjithë qytetarëve të saj?
Këtu kthehemi tek lidhja mes katër argumenteve të shënuara më lartë dhe se si saktësisht janë te lidhura. Tre rrëfimet e mia lidhen në tri pika –përkatësia dhe përfaqësimi, siguria, dhe liria. Fillojmë me sigurinë, e cila mendoj që mund të kuptohet më lehtë duke marrë parasysh që edhe maqedonasit etnik e kanë të njejtën frikë. Gjuha është e rëndësishme për maqedonasit, dhe do duhej të jetë e thjeshtë të kuptohet se pse ajo është e rëndësishme edhe për shqiptarët dhe të tjerët, nëse largohet frika. Argumenti se ligji për gjuhët e rrezikon gjuhën maqedonase, përveq faktit që është argument joadekuar, tregon se kur mendohet për të drejtat, ato kuptohen si lojë e ose ti ose unë, dhe jo si ti dhe unë, sëbashku. Këtu lidhet dhe përkatësia, sepse pjesë e frikës është se shqiptarët “do të na marrin” shtetin dhe jo se shqiptarët “janë pjesë e shtetit”. Nëse maqedonasit do të fillonin të mendonin në mënyrën e dytë dhe jo atë të parën, atëherë frika nuk do ishte pjesë e formulës. Por, ç’farë kemi tani- mendimin që shqiptarët kanë të drejta të “mjaftushme”. Kjo pikëpamje përsëri i sheh shqiptarët si të vinë nga jashtë, dhe jo nga brenda, si pjesë e tërësisë. Si justifikim shpesh kam dëgjuar që shqiptarët nuk duan të jenë pjesë e shoqërisë maqedonase ose që nuk integrohen mjaftueshëm. Ndiqni këtë logjikë, si mendoni që shqiptarët do të ndjejnë përkatësi nëse nuk u lejohet gjuha, nëse nuk u lejohet liria e lëvizjes për shkak të perceptimit real të mungesës së sigurisë? Si mund të ndjehet përkatësi kur gjithçka rreth teje të tregon që nuk duhet të jesh këtu, ke shtetësi, por “nuk je i yni”? Që të përmirësohet kjo situatë dhe të ketë jetë të dinjitetshme për të gjithë, qelësi nuk është negimi i të drejtave, por afirmimi i tyre.
Por nëse jemi pro afirmimit, atëherë ç’farë lloji të afirmimit mund të pranojmë? Argumenti i tretë kishte të bëjë me cilësinë e ligjit. Dakordohem se ligji për gjuhët nuk është verzioni më i mirë i mundshëm, është i limituar nga rrethi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dhe nuk është inovativ. Por a do të thotë kjo që ligji është i keq? Jo, vetëm që nuk është i plotë dhe që do duhet të mbindërtohet, por duket qartë se për këtë nuk jemi akoma të gatshëm. Një degë e këtij llojit të argumentimit është që ky ligj është vetëm për institucionet dhe jo për qytetarët. Atëherë paskemi harruar që institucionet ekzistojnë për qytetarët, që t]u ofrojnë shërbime të cilat mundësojnë jetesën në një shtet të organizuar. Të mos harrojmë se institucionet shtetërore janë institucione formale, dhe mbishkrimet në to tregojnë angazhim real me qytetarët. Institucionet, veçanërisht institucionet shtetërore, duhet të jenë instanca e parë e këtyre ndryshimeve. Ka dallim, dhe ka rëndësi, dhe nuk janë thjeshtë disa shkronja, por shenjë e avancimit të përkatësisë dhe përfaqësimit.
Për në fund, argumenti i problemem më të mëdha ekzistenciale. A janë problemet si varfëria, arsimi, shëndetësia, të rëndësishme? Absolutisht, por kjo nuk do të thotë që gjuha nuk është poashtu e rëndësishme. Një shtet demokratik do duhej të mirrej me të gjitha këto tema, dhe jo vetëm me një. Këto probleme janë të lidhura njëra me tjetrën, dhe zgjidhja e tyre është multidimensionale dhe intersekcionale. Në fakt, argumenti i përkatësisi dhe përfaqësimit, sigurisë, dhe përfundimisht lirisë, këtu kulminojnë. Të jesh pakicë në një shtet të cilit i përket si qytetar por që akoma nuk të përfaqëson ty, atëherë shumë shpesh, ai që ndihet i përfaqësuar nga shteti dhe ndihet i sigurtë brenda tij, do të ndihet që mban pushtet mbi ty. Ky pushtet mund të shfaqet në shumë mënyra, në formë të inkurajimit të inferioritetit, ose të ndjenjës të të huajit, apo të ndjenjës së rreziku, dhe ju siguroj që çdo shqiptar i Maqedonisë pa marrë parasysh a janë të pasur apo të varfër, të privilegjuar apo jo, i kanë ndjerë këto emocione. Këto ndjenja kufizojnë lirinë, kufizojnë vullnetin dhe kufizojnë përkatësinë. Shqiptarët e Maqedonisë kanë treguar që janë pjese e shtetit dhe duan që të mbesin pjesë e tij, por ka ardhur koha që edhe shteti të tregojë se i sheh si të tij, dhe nëse kjo fillon me ligjin për gjuhët, atëherë ashtu le të jetë.