Debati për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është shndërruar në përplasje të hapur politike, pasi Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, ka reaguar publikisht dhe me tone të forta ndaj deklaratave të Zv.Kryeministrit të Parë, Bekim Sali.
Në reagimin e tij publik, Filkov thekson se ka përfunduar periudha kur Kushtetuta dhe ligjet interpretoheshin sipas interesave politike të ditës, duke shtuar se Qeveria aktuale synon vendosjen e rregullave të qarta, siguri juridike dhe respekt të plotë për rendin kushtetues.
Por reagimi mori tone edhe personale. Filkov deklaroi se e kupton Saliun “si dentist dhe si politikan që ende duhet të kuptojë çështjet e integrimit evropian dhe reformave në drejtësi”, deklaratë që pritet të rrisë tensionet politike në skenën qeveritare.
Ministri theksoi se vendimet në shtet nuk merren mbi bazën e përshtypjeve personale apo vullnetit politik, por mbi Kushtetutën dhe ligjin, duke paralajmëruar se çdo qasje tjetër rrezikon sundimin e ligjit dhe kthen praktikat e arbitraritetit.
Sa i takon kërkesës së studentëve për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Filkov bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka analizuar peticionin dhe bazën ligjore ekzistuese.
Sipas tij, përdorimi i shqipes si gjuhë zyrtare në procedura institucionale nuk mund të interpretohet i shkëputur nga ligjet që rregullojnë funksionimin e sistemit gjyqësor, ndërsa provimi i jurisprudencës lidhet drejtpërdrejt me kërkesën për njohje aktive të gjuhës maqedonase, duke pasur parasysh se sistemi gjyqësor funksionon kryesisht në këtë gjuhë.
Filkov theksoi gjithashtu se Kushtetuta përcakton maqedonishten dhe alfabetin cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa përdorimi i gjuhëve të tjera zyrtare rregullohet me ligj dhe kushte të përcaktuara.
Në reagimin e tij, ai hodhi poshtë pretendimet se Ministria nuk ka argumente juridike, duke i cilësuar ato si qëndrime të motivuara politikisht.
Në fund, ministri dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë politik, duke theksuar se Kushtetuta nuk është temë për narrativa televizive dhe se gjyqësori nuk duhet të jetë peng i agjendave politike.
Ai shtoi se Qeveria synon të vendosë rend institucional pas, sipas tij, viteve të kaosit, duke theksuar se kush dëshiron të bëjë politikë duhet ta bëjë në zgjedhje, ndërsa zyrtarët shtetërorë duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet.


