Vetëdorëzohen në Policinë e Shkodrës 15 banorët e Rrjollit që ishin shpallur në kërkim si të dyshuar te përfshire në protestën e dhunshme të disa ditëve më parë dhe përleshjes me punëtorët e firmës së sigurisë së punimeve të resortit turistik që po ndërtohet nga kompania “Gener 2”.
Të shoqëruar nga avokati i tyre, Ndue Pjetra, ata janë paraqitur për veprime proceduriale dhe hetimore në organin e policisë, ndërsa më parë ishin njoftuar 3 arrestime dhe 6 procedime penale në gjendje të lirë.
Banorët e Rrjollit akuzohen se kanë dëmtuar mjetet e kompanisë private dhe dëmtuar fizikisht një nga punonjësit e “Breçani Security”.
Banorët pretendojnë se pronat janë të tyret me dokumente dhe firma i ka zaptuar pa bërë shpronësime apo kompensim.
Avokati Ndue Pjetra e cilësoi kërkesën për arrestimin e banorëve si “një manovër të Policisë së Shkodrës për të frenuar protestat”.
Avokati u shpreh: “Qëllimi kryesor i tyre është të mundohen me çdo kusht që të mos protestojnë këta persona. Banorët kërkojnë tokat e tyre dhe nuk e kanë problem të protestojnë e të përballen me Policinë dhe bandën e tokave. Pavarësisht dokumenteve që janë falsifikuar për t’u marrë tokat, banorët nuk dorëzohen. Ka pasur përplasje dhe madje mund të godisnin njëri-tjetrin në atë situata, ata tentuan vetëm të largonin mjetin, fadromën nga toka e tyre. Kemi lajmëruar vetë Policinë u kemi thënë “na keni shpallur në kërkim” dhe se si do procedojmë. Protesta do vazhdojë më tej, ka solidarizim, nuk ka tërheqje. Ata e dinë shumë mirë, po vonojnë zbardhjen e të vërtetës, presim e 2-3 ditë vendimin e Administratives, se dokumentet janë false, dihet ajo dhe do të dalë”.
Në lidhje me të njëjtën ngjarje, dy persona janë arrestuar, ndërsa shtatë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Protesta e zhvilluar të shtunën degradoi në përplasje fizike mes banorëve të Rrjollit dhe punonjësve të një kompanie private sigurie, e kontraktuar nga firma ndërtuese për të garantuar sigurinë e stafit dhe kantierit.
Kompania ka nisur punimet për ndërtimin e një resorti luksoz, por prej rreth një muaji përballet me kundërshti të forta nga banorët e zonës, të cilët kërkojnë largimin e saj nga prona që pretendojnë si të tyren.


