Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka dhënë detaje tronditëse në Gjykatën e Posaçme për eliminimin e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela. Sipas dëshmisë së tij, vendimi për vrasjen u mor për shkak të lidhjeve të ngushta që Bujari kishte me vëllanë e tij, duke kryer detyra të ndryshme përmes taksisë që drejtonte.
“Bujar Çela ishte njeriu më i afërt i Talos. Përmes taksisë bënte punë e lëvizje për të, prandaj vendosëm ta ekzekutonim”, deklaroi Alibej.
Ai tregoi se fillimisht u mendua një tjetër skenar, që përfshinte groposjen e armës së krimit në banesën e Bujarit, me qëllim që fajësia për vrasjen e Emiljano Ramazanit t’i vishej atij. “Kërkuam përmes informatorit tim, Xhuliano Hoxha, të gjenim një send që Bujari kishte prekur me dorë, për ta përdorur si mbështjellje për armën dhe më pas ta groposnim tek shtëpia e tij. Por plani dështoi”, tha ai.
Pas këtij dështimi, sipas rrëfimit të Alibejt, u vendos që Bujar Çela të eliminohej fizikisht, për shkak të afërsisë me Talo Çelën. “U angazhua ‘kushua’ dhe ‘nipçja’ për ekzekutimin,” tha ai, duke iu referuar Henrik Hoxhajt dhe Skerdi Tases.
“Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës. Njeriu më i afërt i Talos. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin, që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës.
E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën.
Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit.
Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim.
Si fillim u angazhua nipi, që i referohem Skerdi Tases dhe kushos, që i referohem Henrik Hoxhajt.
U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar”, rrëfeu Erion Alibej.