Reshjet e fuqishme të shiut që mbrëmë përfshinë disa pjesë të kryeqytetit kanë shkaktuar kokë dhimbje për banorët. Për shkak të rrebesheve, shumë shtëpi dhe të mbjella në Komunën e Sarajit pësuan dëme të mëdha. Një pjesë e bujqve thonë se shteti asnjëherë nuk i ka ndihmuar ata në raste kur kanë pasur dëme nga moti i keq.
Ka pasur erëra të fuqishme, janë dëmtuar foliat, ka hyrë uji nëpër bodrume ka dëme i gjithë fshati. Shiu i rrëmbyeshëm madh që e ka bartë të gjithë baltën e gjitha ka depërtuar nëpër foliat, dhe aty më nuk bëhen ato produkte. Është shkatërruar krejt. Kjo është në duart e Zotit, neve nuk na ndihmon askush – thotë Ibrahim Ibrahimi, banor I fshatit Gërcec, Saraj.
Unë merrem vetëm me kultivimin e qershive, dhe dëme kemi pasur nga breshëri që ka ra mbrëmë, I ka prishë. Dhe kjo qershi p.sh nuk bëhet më, kur skuqet kalbet. Kanë pasur dëme edhe fqinjët, ato që kanë pasur lakra dhe gjëra tjera që janë jashtë– thotë Sedulla Nexhipi, banor I fshatit Gërcec , Saraj.
Nga ana tjetër banorët e komunës së Çairit thonë se si pasojë e infrastrukturës së shkatërruar, edhe reshjet me të lehta të shiut shkaktojnë dëme nëpër shtëpitë e tyre.
“Zakonisht nuk mund të kalojmë nga shiu. Ujë ka boll, kanalizimi nuk punon, këta punë nuk janë të rregulluara. Duhet të presim të ndalet shiu dh eta kalojmë rrugën. Mjaft është e vështirë, ç’të bëjmë”.
“Uji hyn nëpër bodrume, rrugët katastrofë janë si I shihni dhe vetë. Nëse kanalizimi nuk është këtu normalisht se uji nuk ka nga të hyjë dhe do depërtojë në bodrum ose diku tjetër, dhe është problem. Është vështirë, ja veturat të gjitha nëpër gropa kalojnë– shprehen dy qytetarë.
Si pasojë e reshjeve të shiut, shumë shtëpi të Çairit gjatë vitit të kaluar pësuan dëme të mëdha. Komuna formoi komision për vlerësimin e dëmeve, por siç thonë banorët, ata nuk kanë marrë asnjë kompensim.
Vjollca Aliti

